Komuna kosovare e Graçanicës ka përjetuar trazira mbrëmjen e së enjtes (14 shtator) dhe shkak është bërë përplasja mes komunitetit në shumicë serbe dhe atij shqiptar.
Dhjetëra banorë serbë u mblodhën para rajonit të policisë së Graçanicës për të protestuar ndalimin dhe dhunën policore të dyshuar ndaj dy të rinjve me origjinë joshqiptare.
Sipas medieve serbe, një patrullë policie shqiptare më herët i kishte ndaluar dy vëllezërit 19 dhe 24 vjeç me arsyen se po qarkullonin me makinë pa vendosur rripin e sigurimit.
"I prenë një herë një gjobë dhe i ndaluan sërish për t'i gjobitur për herë të dytë. Kur shoferi doli nga makina, bashkë me të erdhi edhe i vëllai, i cili i pyeti për gjobën në shqip dhe atëherë filluan shtyrjet, goditjet nga tre policët shqiptarë," u shpreh një dëshmitar okular për mediet serbe.
Ndërkohë, policia e Kosovës njoftoi se të rinjtë i penguan oficerët në detyrë dhe u sulmuan fizikisht prej tyre, duke pësuar lëndime trupore.
Ndaj të dyshuarve mësohet se është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ofrimit i ndihmës mjekësore.
Vetëm një ditë më parë, Serbia dhe Kosova dolën pa një marrëveshje nga takimi i nivelit të lartë me ndërmjetësuesit e Bashkimit Europian.
Takimi u zhvillua mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq (o. Vucic), i cili rastësisht dje komentoi edhe për mundësinë e vizitës në Graçanicë.
Vuçiqi u shpreh se do të shkojë së shpejti në Graçanicë.
“Sapo të më jepni lejen demokratike, do të vij në Graçanicë dhe pastaj edhe në Prishtinë. Për këtë nuk mund të pyes Kurtin: pyes popullin tim dhe populli do që të më shohë,” u përgjigj presidenti Vuçiq pas takimit tripalësh në Bruksel.
Graçanica ndodhet në pjesën lindore të Kosovës dhe është një prej tri komunave me shumicë serbe, e cila kufizohet me Prishtinën dhe Lipjanin.
/rtsh.al/