RTSH 24 Live

Botë

Të shtënat ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico tronditin Evropën

15/05/2024

Të shtënat ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico tronditin Evropën

Të shtënat të mërkurën ndaj kryeministrit sllovak Robert Fico në qytetin Handlova pas një ngjarjeje politike tronditën Evropën tre javë përpara se të mbahen zgjedhjet e parlamentit të BE-së.

Udhëheqësit, pavarësisht ndarjeve politike, denoncuan tentativën e dukshme të vrasjes kundër liderit populist, pro-rus, duke e quajtur atë një sulm ndaj demokracisë.

Ja çfarë thonë liderët evropianë dhe të tjerët:

“Ajo që ka ndodhur është diçka që ne nuk mund ta kuptojmë. Sulmi fizik ndaj kryeministrit është para së gjithash sulm ndaj një personi, por është edhe sulm ndaj demokracisë. Çdo dhunë është e papranueshme. Retorika e urrejtjes që kemi qenë dëshmitare në shoqëri çon në veprime urrejtjeje. Të lutem, le ta ndalojmë.” tha presidentja sllovake, Zuzana Caputova, rivalja politike e Ficos, në një deklaratë televizive.

“Një atentat ndaj një prej zyrtarëve më të lartë kushtetues është një kërcënim i paprecedentë për demokracinë sllovake. Nëse shprehim mendime të ndryshme politike me armë në sheshe dhe jo në qendra votimi, ne rrezikojmë gjithçka që kemi ndërtuar së bashku në 31 vjet sovranitet sllovak.”, tha presidenti i sapo zgjedhur sllovak, Peter Pellegrini.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë akt dhune ndaj kreut të qeverisë së shtetit tonë partner fqinj. Duhet bërë çdo përpjekje për të siguruar që dhuna të mos bëhet normë në asnjë vend, formë apo sferë.”, tha Volodymyr Zelenskyy, presidenti i Ukrainës në mediat sociale.

“Të tronditur dhe të tmerruar nga të shtënat ndaj kryeministrit Robert Fico. I uroj forcë për shërim të shpejtë.”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Isha thellësisht i tronditur nga sulmi i tmerrshëm ndaj mikut tim, kryeministrit Robert Fico. Ne lutemi për shëndetin dhe shërimin e tij të shpejtë! Zoti e bekoftë atë dhe vendin e tij!”, deklaroi kryeministri hungarez, Viktor Orban.

“Jam i alarmuar kur dëgjoj raporte për një sulm ndaj kryeministrit sllovak, Robert Fico. Jill dhe unë po lutemi për një shërim të shpejtë dhe mendimet tona janë me familjen e tij dhe popullin e Sllovakisë. Ne e dënojmë këtë akt të tmerrshëm dhune. Ambasada jonë është në kontakt të ngushtë me qeverinë e Sllovakisë dhe e gatshme të ndihmojë.”, tha Presidenti i SHBA, Joe Biden në një deklaratë.

“Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë më të çmuar të përbashkët.”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

I tronditur nga lajmi i tmerrshëm i sulmit të tmerrshëm ndaj Kryeministrit të zgjedhur të Sllovakisë, një i mbijetuar i madh dhe mik i dashur të cilit i uroj shërim të shpejtë dhe një rikthim spektakolar”, shkruajti kryeministri shqiptar, Edi Rama.

“Të shtënat ndaj Robertit janë të shtëna kundër lirisë dhe demokracisë… nuk mund të ketë vend për dhunë në politikë.”, dekaroi kryeministri serb Millosh Vuçeviq.

/rtsh.al/