RTSH 24 Live

Sociale

Të investosh në vendlindje - Jon Goxha, 26-vjeçari nga Konispoli tregon nismat e familjes së tij

08/12/2024

Të investosh në vendlindje - Jon Goxha, 26-vjeçari nga Konispoli tregon nismat e familjes së tij

Jon Goxha është një prej të rinjve të Konispolit që ka zgjedhur të mos largohet në emigrim por të qëndroj në vendlindje dhe të trashëgoj fabrikën e përpunimit të ullinjve që familjarët e tij kanë hapur në këtë bashki prej gati 30 vitesh. Ai pohon se që prej një moshe fare të vogël rrinte në fabrikë së bashku me babain e tij për të mësuar çdo proces që duhet të ndiqet në të.

“Kjo është një traditë për familjen tonë, përveçse të ardhurave ekonomike që na siguron na fal dhe kënaqësi shpirtërore si punë ku të gjithë i përkushtohemi”, u shpreh Jon Goxha, Administrator fabrike ulliri.

Ndërkaq duke parë edhe zhvillimin turistik që zona e Konispolit po njeh nga viti në vit 26 vjeçari pohon se familja e tij  ka vendosur tashmë të hap edhe një tjetër biznes, një njësi akomodimi për vizitorët dhe një restorant ku do të ofrohen gatimet tradicionale të zonës së Konispolit.

Vitet e fundit veç rritjes së sipërfaqes së tokës së mbjellë me kultura të ndryshme bujqësore Konispoli po njeh edhe një tjetër rritje, atë të numrit të të huajve që zgjedhin ta vizitojnë. Për këto arsye të rinjtë i shikojnë me perspektivë të dy këta sektor.

Gazetare: Boralda Gjyli

/RTSH/