RTSH 24 Live

Aktualitet

Të dënuar në Belgjikë për trafik droge, arrestohen 2 persona, 1 në kërkim. SPAK u sekuestron 16 apartamente e 27 llogari bankare

26/10/2023

Të dënuar në Belgjikë për trafik droge, arrestohen 2 persona, 1 në kërkim. SPAK u sekuestron 16 apartamente e 27 llogari bankare

Dy persona janë vënë në prangat e Policisë dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dënuar në Belgjikë për trafik droge. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Prokuroria e Posaçme bën me dije se janë arrestuar dy vëllezërit me inicialet B. R dhe L. R., ndërsa është shpallur në kërkim personi me inicialet A.M. 

Sipas SPAK, ata kanë kryer veprime sistematike me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Dyshohet se ata i pastronin të ardhurat me ndihmën e ish-drejtoreshës së Kadastrës Durrës, Rajmonda Dashi e cila është lënë në masën e sigurisë "arrest shtëpie".

Veprimet e tyre kanë konsistuar a) në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e orgjinës së paligjshme, b) fshehjes ose mbulimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, njofton SPAK.

Me vendim të GJKKO, janë sekuestruar 12 apartamente në Fier, 4 apartamente në Tiranë, 3 garazhe në Tiranë, 27 llogari bankare, një shoqëri tregtare dhe 2 automjete.

Dy vëllezërit dhe personi tjetër i shpallur në kërkim, akuzohen për veprat penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Ndërkohë është lënë në “arrest shtëpie” një grua me inicialet R.D, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Sipas SPAK, hetimi vazhdon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe identifikimi i pasurive të tjera.

/rtsh.al/