Ish drejtoresha e Kadastrës në Durrës Rajmonda Dashi, është vënë në masë sigurie “arrest shtëpie”, për shkak të përfshirjes së saj në pastrim parash me një grup kriminal me aktivitet në Belgjikë.
Rajmonda Dashi është arrestuar teksa ndodhej në zyrën e saj, në Drejtorinë e Kadastrës në Vorë, ku ushtronte detyrën si specialiste. Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se ish drejtoresha e Kadastrës së bashku me dy vëllezër të dënuar në Belgjikë për trafikim të lëndëve narkotike, dhe persona të tjerë, ka kryer veprime me qëllim pastrimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal jashtë vendit nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri.
Në foto, Rajmonda Dashi
Në dhjetor 2021, Rajmonda Dashi u largua vetëm 3 muaj pas emërimit në krye të Kadastrës në Durrës, ndërsa më herët kishte drejtuar Kadastrën në Krujë.
Gjatë vitit 2002 ajo u pezullua nga detyra për shkak të nisjes së një hetimi nga Prokuroria e Tiranës, por zbutja e masës solli rikthimin e saj në detyrë si specialiste në Vorë. Në kuadër të këtij hetimi, me vendim të Gjykatës së Posaçme janë sekuestruar 49 pasuri, ku përfshihen 12 apartamente në Fier, 4 në Tiranë, 3 garazhe Tiranë, 27 llogari bankare, 1 shoqëri tregtare dhe 2 makina.
Gazetare: Eriselda Dyrmyshi
/rtsh/