RTSH 24 Live

Rajon

Takimi në Ohër/ Ambasadori Ischinger: Koha që Kurti e Vuçiç të bëjnë një hap besimi tani

18/03/2023

Takimi në Ohër/ Ambasadori Ischinger: Koha që Kurti e Vuçiç të bëjnë një hap besimi tani

Ambasadori Wolfgang Ischinger i cili në vitin 2007 përfaqësoi BE-në në negociatat e Trojkës thotë se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë një hap besimi pikërisht tani, sot.

Duke komentuar bisedimet që po mbahen në Ohër prej  më shumë se 10 orësh mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, Ischinger sjell në vëmendje shkrimin e tij publikuar në “Politico” më 17 mars ku nënvizon nevojën e një “Zeitenwende” “Pikë kthimi”.

“Si mik i Kosovës dhe i Serbisë dhe vetë ish-negociator i BE-së, i bëj thirrje presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti që të bëjnë një hap besimi që tani” shkruan ndër të tjera në shkrimin me titull “Urgjente një “Pikë Kthimi” për Ballkanin Perëndimor".

Takimin e sotëm Ischinger e quan mundësi historike për të treguar guxim dhe lidership politik. 

"eri më tani, Serbia dhe Kosova të dyja kanë treguar se e pranojnë tekstin, megjithatë mbeten dallimet në lidhje me modalitetet dhe zbatimin. Siç ndodh shpesh në diplomacinë e krizës, rëndësi ka gjuha e shkruar ose gjuha e aneksit.

Por zgjidhja është e drejtpërdrejtë: Serbia duhet të pranojë faktin se Kosova është këtu për të qëndruar, përfshirë edhe në skenën ndërkombëtare. Dhe Kosova duhet të pajtohet me domosdoshmërinë e adresimit të shqetësimeve të pakicës së saj serbe, duke përfshirë pranimin e formimit të parashikuar të një asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Si mik i Kosovës dhe i Serbisë dhe vetë ish-negociator i BE-së, i bëj thirrje presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti që të bëjnë një hap besimi që tani. Më 18 mars, në Ohër, të dy do të kenë një mundësi historike për të treguar guxim dhe lidership politik. Dhe tani është koha për të çuar përpara Serbinë dhe Kosovën së bashku, në interes të popullit të tyre, në interes të Ballkanit Perëndimor dhe në interes të paqes dhe sigurisë në kontinentin evropian” shkruan ambasadori Wofgang Ischinger i cili kryesoi Konferencën e Sigurisë së Mynihut nga viti 2008 deri në 2022 dhe aktualisht shërben si President i Fondacionit të Konferencës së Sigurisë së Mynihut.

 

/ rtsh. al /