RTSH 24 Live

Aktualitet

Takimi me Papa Françeskun, Presidenti Begaj: Biseduam për integrimin evropian të Shqipërisë

02/12/2022

Takimi me Papa Françeskun, Presidenti Begaj: Biseduam për integrimin evropian të Shqipërisë

Presidenti i vendit, Bajram Begaj, ka zbardhur detaje nga biseda e zhvilluar me Papa Françeskun, gjatë vizitës së tij në Vatikan këtë të premte, ku u prit nga Ati i Shenjtë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe foto me Papa Françeskun, Presidenti Begaj bën me dije se bisedimet u përqendruar në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Po ashtu Begaj shkruan se bisedoi me Atin e Shenjtë edhe në lidhje me Kosovën dhe ndikimin e luftës në Ukrainë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Biseduam për rrugëtimin e Shqipërisë në kuadrin e procesit të integrimit evropian si dhe rëndësinë e kultivimit të vlerave njerëzore e shpirtërore, që janë themeli i shoqërisë sonë. Kosova si dhe marrëdhëniet shumë të mira mes Selisë së Shenjtë dhe komunitetit katolik të Kosovës ishte pjesë e bisedës, ndërsa diskutuam edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin e agresionit rus në Ukrainë për rajonin. Ftova Atin e Shenjtë për një vizitë në Shqipëri, duke e siguruar se do të mirëpritej gjithmonë krahëhapur nga populli shqiptar”, shkruan Kreu i Shtetit.

Teksa e konsideron takimin me Papa Françeskun si një “emocion i veçantë”, Presidenti Begaj thekson e se i ka shprehur mirënjohjen Atit të Shenjtë për gjithçka që Vatikanit ka bërë për popullin shqiptar, duke veçuar periudhën e ndryshimeve demokratike në vitet ’90.

Takimi me Papa Françeskun sot ishte një emocion i veçantë e që sjell në vëmendje marrëdhëniet historike e shumë shekullore mes shqiptarëve dhe Selisë së Shenjtë. Shpreha mirënjohje për gjithçka që Shteti i Vatikanit ka bërë për popullin shqiptar, sidomos pas ndryshimeve demokratike në vitet ’90. Vlerësimet e Papës për bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në Shqipëri i bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët. Vendimet e Papa Françeskut dhe të Selisë së Shenjtë për shenjtërimin e Nënë Terezës dhe lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike të Shqipërisë shqiptare janë një vlerësim për kombin si dhe historinë tonë, ku sakrifica dhe solidariteti janë pjesë e pandashme e saj”, shkruan Presidenti Begaj.

/rtsh.al/