RTSH 24 Live

Kosovë

Takimi Kurti-Vuçiq, DASH shpreh zhgënjim për mosarritjen e ndonjë rezultati pozitiv

15/09/2023

Takimi Kurti-Vuçiq, DASH shpreh zhgënjim për mosarritjen e ndonjë rezultati pozitiv

Zhgënjim ka shprehur Departamenti Amerikan i Shtetit për mos arritjen e ndonjë përparimi gjatë takimeve që u mbajtën një ditë më parë në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic) me ndërmjetësimin e krye diplomatit evropian, Xhosep Borel )Josep Borrell).

"Presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre nën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe", tha një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Radio Evropa e Lirë, duke shtuar se në hapat që do të ndiqen në të ardhmen do të zhvillohen konsultime mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre evropianë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan të enjten në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Takimi, që kishte në axhendë zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat, tha Borrell.

Sipas tij, ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin evropian së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq  ra dakord. Borrell tha se Kurti këmbënguli që të zyrtarizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. 

Ndërkohë pas takimeve, Kurti dhe Vuçiq, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi. Kurti tha se "kushtëzimi i Serbisë" për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe "ishte shndërruar në qëndrim të të  dërguarve  të BE-së". Ndëra Vuçiq u shpreh se Kurti i shmangej themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gazetare: Elda Pepa 

/rtsh/