RTSH 24 Live

Rajon

Takimi Kurti-Vuçiç/ Lajçak: Kemi qenë më ambiciozë, por Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme

21/03/2023

Takimi Kurti-Vuçiç/ Lajçak: Kemi qenë më ambiciozë, por Marrëveshja e Ohrit është e detyrueshme

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se marrëveshja mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paraqet një pikë kthese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Për të, të dyja palët duhet t’i zbatojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Në një intervistë për REL, ai pranon se BE-ja kishte një plan më ambicioz: nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizim dhe një draft-aneks me afate kohore dhe detyra të qarta, ndërsa tha se udhëheqësit e dy vendeve nuk kanë mundur të bien dakord për secilën pikë dhe se presidenti serb ka refuzuar ta nënshkruajë dokumentin. Prandaj, propozimi ka ndryshuar.

Lajçak shprehet se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Dua të them se Marrëveshja e arritur në Ohër, të shtunën e kaluar, është një moment i rëndësishëm historik. Krijon një cilësi të re të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E ngre dialogun në një nivel më të lartë dhe do t’i hapë rrugë normalizimit, ashtu si edhe përshpejtimit të procesit të anëtarësimit në BE, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën. Nuk është sekret që ne, si lehtësues [të dialogut], kemi përgatitur fillimisht një aneks më të detajuar të zbatimit. Me një sekuencë hapash, me afate të qarta kohore, do të ishte më e lehtë të matej. Megjithatë, pas disa orësh negociata, palët kanë arritur të bien dakord për 12 nga 18 pikat. Ka qenë e pamundur të tejkalohen dallimet për gjashtë pikat e mbetura. Kemi provuar shumë, shumë mënyra për t’i kapërcyer ato dallime, por ka qenë e qartë se nuk do të funksionojnë”, tha Lajçak ndërsa paralajmëroi një takim të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë së shpejti, për të filluar, punën për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes.

Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët ranë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Kosova të nis përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Edhe pse nuk u firmos një marrëveshje, palët pas 12 orësh bisedime në Ohër arritën marrëveshje të zbatonin propozimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve.

/rtsh.al/