RTSH 24 Live

Politikë

Takimi informal në Athinë, Begaj shpjegon arsyet e mungesës! Kurti pritet të takohet me Vuçiçin

18/08/2023

Takimi informal në Athinë, Begaj shpjegon arsyet e mungesës! Kurti pritet të takohet me Vuçiçin

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, do të mirëpresë mbrëmjen e së hënës së 21 gushtit në një takim informal në Athinë liderë të rajonit e të Bashkimit Europian.

Për të festuar në mënyrë simbolike 20-vjetorin e Samitit të Selanikut dhe Deklaratës me të njëjtin emër të arritur më 21 qershor të vitit 2003, Kryeministri grek ka ftuar edhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Burime zyrtare kanë bërë me dije procedurën e ftesës dhe pamundësinë e kreut të shtetit shqiptar për të qenë në takim, duke përjashtuar me këtë ekzistencën e arsyeve të tjera për të mos qenë atje.

Ftesa e mbërritur më 14 gusht nga Kryeministri Mitsotakis për darkën informale të 21 gushtit në Athinë ka marrë përgjigje zyrtare një ditë më pas, më 15 gusht 2023, nga Kreu i shtetit shqiptar.

Pasi vlerëson vëmendjen e kryeministrit grek, Mitsotakis, për zhvillimet e lidhura me sigurinë e Evropës, presidenti Begaj i është përgjigjur i keqardhur kreministrit për pamundësinë e pjesëmarrjes për shkak të një agjende të përcaktuar më herët.

Përveç Shqipërisë, ftesës së Greqisë nuk i është përgjigjur dot pozitivisht edhe lideri i Sllovenisë. Ftesën e kanë marrë edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Orët e pasdites, mediet greke kanë bërë të ditur se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë do të mbajnë një takim të veçantë gjatë qëndrimit në Athinë.

Përveç tyre, nga liderët e rajonit është konfirmuar pjesëmarrja e presidentit të Malit të Zi dhe e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Në diskutim është pjesëmarrja e autoriteteve të Bosnjë-Hercegovinës dhe presidentes së Moldavisë, ndërsa liderët e vendeve të rajonit që janë anëtare të BE-së do të jenë po ashtu të pranishëm, përkatësisht kryeministri i Bullgarisë, ai i Kroacisë dhe i Rumanisë.

Mediet greke e shohin këtë përpjekje të Mitsotakis si riafirmim për perspektivën europiane të rajonit, por edhe si ekonomia më e madhe në rajon, anëtare e Bashkimit Europian.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh/