RTSH 24 Live

Politikë

Tabaku akuza Spiropalit: Nismë antikushtetuese për t’i zgjatur mandatin Elsa Toskës

3 orë para

Tabaku akuza Spiropalit: Nismë antikushtetuese për t’i zgjatur mandatin Elsa Toskës

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka akuzuar kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali se ka ndërmarrë një nismë “antikushtetuese” për të zgjatur mandatin e gjyqtares së dorëhequr të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska. Kjo e fundit ka paraqitur dorëheqjen nga ky post në shtator të këtij viti.

Në një postimin në Facebook, Tabaku rikujton ndryshimet e Reformës në Drejtësi, ku u saktësua se gjyqtarët e emëruar në Gjykatën Kushtetuese pas vitit 2017 u përfundon mandati në vitin 2025, ndërsa atyre të emëruar pas vitit 2020 u përfundon në vitin 2028.

Tabaku përmend edhe opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, sipas deputetes përcaktoi qartësisht jo vetëm mënyrën e emërimit të gjyqtarëve, por edhe skemën e përfundimit të mandateve, ku për Toskën, mandati përfundon në vitin 2025.

Tabaku akuzon Kryetaren e Kuvendit se po interpreton “me syze të tjera” një dispozitë që është e qartë, si në mendimin e Komisionit të Venecias, ashtu edhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

A është kjo një përpjekje për të manipuluar Kushtetutën dhe për të zgjatur mandatin e ndonjë gjyqtareje tjetër? Apo ka për qëllim Kryetarja e Kuvendit të mbanë të kapur Gjykatën Kushtetuese me vendime arbitrare, duke minuar Reformën në Drejtësi? A ka vendosur Kryetarja e Kuvendit të hedhë poshtë Kushtetutën dhe mendimin e Komisionit të Venecias, të cilit vetë i është drejtuar? Diferenca mes atyre që pretendojnë se e mbrojnë drejtësinë e pavarur dhe atyre që nënshkruajnë për zgjatjen e mandateve antikushtetuese është tashmë e qartë për të gjithë”, shkruan Tabaku mes të tjerash.

Postimi i plotë i Tabakut

Tentativa për t’u fshehur pas tymnajës

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka ndërmarrë një nismë antikushtetuese për të zgjatur mandatin e gjyqtares së dorëhequr, Elsa Toska. Për të kuptuar më mirë këtë veprim, është e rëndësishme të rikujtojmë dy elemente kyçe. Në vitin 2016, Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi dhe futi në Kushtetutë disa dispozita kalimtare për mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në këto dispozita gjendet edhe neni 179, pika 3, i cili saktëson se gjyqtarëve të emëruar pas vitit 2017 u përfundon mandati në vitin 2025, ndërsa atyre të emëruar pas vitit 2020 u përfundon mandati në vitin 2028.

Tre vjet pas këtyre ndryshimeve kushtetuese, Parlamenti, nën drejtimin e shumicës socialiste, u përfshi në një ngërç tjetër. Për të shmangur këtë situatë, opozita kërkoi këshillim nga Komisioni i Venecias. Në mendimin e tij miqësor të vitit 2020, Komisioni Venecias sqaroi se neni 179 i Kushtetutës kishte për qëllim që 9 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të ndaheshin në tre grupe, me nga tre gjyqtarë secili, për të garantuar zëvendësimin gradual të tyre. Ky rregull për të ruajtur përpjesëtimin u përfshi edhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Arsyeja, sipas Komisionit të Venecias, lidhej me ruajtjen e balancës dhe evitimin e bllokimit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Skema e ndarjes së mandateve në distanca kohore prej tre vitesh mbështet këtë parim kushtetues të funksionimit të GJK.

Komisioni i Venecias e përcaktoi qartësisht jo vetëm mënyrën e emërimit të gjyqtarëve, por edhe skemën e përfundimit të mandateve, ku për znj. Toska, mandati përfundon në vitin 2025.

Lindin disa pyetje: Përse Kryetarja e Kuvendit e interpreton me syze të tjera një dispozitë që është e qartë, si në mendimin e Komisionit të Venecias, ashtu edhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, neni 86, pika 3? A është kjo një përpjekje për të manipuluar Kushtetutën dhe për të zgjatur mandatin e ndonjë gjyqtareje tjetër? Apo ka për qëllim Kryetarja e Kuvendit të mbanë të kapur Gjykatën Kushtetuese me vendime arbitrare, duke minuar Reformën në Drejtësi?

A ka vendosur Kryetarja e Kuvendit të hedhë poshtë Kushtetutën dhe mendimin e Komisionit të Venecias, të cilit vetë i është drejtuar?

Diferenca mes atyre që pretendojnë se e mbrojnë drejtësinë e pavarur dhe atyre që nënshkruajnë për zgjatjen e mandateve antikushtetuese është tashmë e qartë për të gjithë. Siç ka thënë edhe Presidenti Ëilson, “Demokracia është një sistem i tmerrshëm, por për sa kohë që nuk kemi diçka më të mirë, duhet të luftojmë për të.

/rtsh.al/