RTSH 24 Live

Politikë

Sulmi ndaj Berishës, Rama: Dënoj aktin e pajustifikueshëm! Dhuna s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje

06/12/2022

Sulmi ndaj Berishës, Rama: Dënoj aktin e pajustifikueshëm! Dhuna s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje

Kryeministri Edi Rama ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj Sali Berishës në nisje të protestës së opozitës. Nga Samiti i BE-Ballkani Perëndimor, Rama e cilëson këtë akt të patolerushëm, ndërsa shton se dhuna nuk do të jetë kurrë zgjidhje për asnjë çështje dhe se autori do të përballet me drejtësinë.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dënon pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm e të patolerueshëm të dhunës mbi organizatorin dhe udhëheqësin e protestës së sotme! Dhuna s’ka qenë, s’është e s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje apo shqetësimi dhe kushdo e përdor këtë mjet duhet të përballet me të gjithë forcën e ligjit”, shkruan Rama.

Sali Berisha u gjuajt me grusht në fytyrë nga 31-vjeçari Gert Shehu, i cili sipas policisë rezulton që të jetë një person me precedent penal për plagosje dhe trafik droge. Gjithashtu ai rezulton të ketë edhe probleme të shëndeti mendor.

Pas këtij sulmi Berisha kërkoi lirimin e autorit pasi tha se ai është i shitur te Rama dhe se është kryeministri ai që fshihet pas këtij sulmi. Berisha akuzoi se porosia për sulmin ndaj tij është dhënë nga kryeministri Edi Rama dhe se organizatori ka qenë ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili ka futur të riun.

/rtsh.al/