RTSH 24 Live

Politikë

Sulmi në protestë, Berisha: Gjithçka e përgatitur! Autori, agjent i policisë kriminale

06/12/2022

Sulmi në protestë, Berisha: Gjithçka e përgatitur! Autori, agjent i policisë kriminale

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, ka deklaruar se 31-vjeçari Gert Shehu, autori i sulmit ndaj tij, është agjent i policisë kriminale.

Në një konferencë për shtyp pas përfundimit të protestës, Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se qëndron, sipas tij, pas organizimit të këtij sulmi.

Siç u pa, ishte një akt agresiv kriminal, i një personi që plotëson çdo kusht për të qenë i përdorur. Por ajo që është më flagrante, është se personi është agjent i policisë kriminale. Gerti Shehu është agjent i policisë kriminale, kontingjent që futen me doza të vogla në rrethet e trafikantëve, problem me disa çrregullime, por fakti që zyra e Fugës shpërndau me urgjencë këtë dokument shëndetësor për të, dëshmon se gjithçka ishte e përgatitur. Fakti që zyra e tij, e kishte gati shkresën për të ua dhënë gazetarëve. Ju e dini se në raste të tilla këta persona përdoren, se një njeri normal nuk pranon kurrë të përdoret. Edi Rama duke dashur që të paraqesë veten duar jashtë e paraqiti veten 100% duar brenda”, tha Berisha.

Teksa e konsideron të “planifikuar” edhe dokumentin që vërteton se i riu vuan nga probleme të shëndetit mendor, Berisha tha se qeveria e kishte bërë gati aktin mjekësor për të “mashtruar, për të justifikuar një agjent të policisë kriminale”. Sipas Berishës, porosia për sulmin ndaj tij është dhënë nga kryeministri Edi Rama dhe se organizatori ka qenë ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu

“Këtu thuhet, dëgjoni se është një gjë shumë interesante.  Vërtetim mjekësor për tu përdorur kudo që ti nevojitet, por ky vërtetim mjekësor miqtë e mi nuk ka asnjë datë. Ai që lexon këtë, thotë se ky, mund të jetë i vitit 2018, mbasi thotë u paraqit në klinikën tonë në 10 janar 2018. Por shumë i çuditshëm vërtetimi sepse thotë gjithashtu se, episodi i fundit i 10 gushtit 2022, u rekomandua të dërgohet në urgjencën psikiatrike dhe pasi mori ndihmën e parë u rikthyer në shtëpi i qetësuar. Pra ju e kuptoni se kjo nuk dëshmon asgjë tjetër, përveç faktit se qeveria e kishte bërë gati për të mashtruar, për të  justifikuar aktin kriminal të një agjenti të policisë kriminale të përdorur nga Çuçi i familjes me porosi të Ramës. Tani mund të ju them një gjë tjetër ju, shumë interesante. Ky i sëmuri kriminal i Edi Ramës, në vitin 2022. Si i sëmurë psikik nuk mund të merrte kurrë patentën. Ky është një akt i përgatitur personalisht nga Edi Rama, Bledi Çuçi dhe natyrisht Ardi Veliu. Agresori është me origjinë nga Tepelena, jeton prej 20 vitesh në Tiranë, i ka shërbyer policisë kriminale në rrjetet trafikante dhe tek besimtarët e xhamisë. Ai u paraqit se zbatoi porosinë e një vëllai mysliman. Është e regjistruar ku thotë se zbatoi porosinë e një vëllai. Në fakt porosi e vëllait është një vëlla pa fe, apo që ndërron fe sa herë i nevojitet, porosia është e Edi Ramës apo ministrit të tij, Çuçi. Nuk mendoj të jetë kush tjetër përveç Ardi Veliut. Nuk kam asnjë provë, por Ardi Veliu në kupolën e policisë është krimineli që mund të stisë dhe të organizojë çdo gjë. Ky është bashkëpunëtor i policisë kriminale, i përdorur për rrjetet e trafikantëve të drogës dhe mes besimtarëve myslimanë. Këto të dy janë përdorimet kryesore”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD u godit me grusht në fytyrë nga 31-vjeçari Gert Shehu gjatë zhvillimit të protestës. 31-vjeçari u dërgua në spitalin e Traumës pasi u godit nga protestuesit e tjerë të pranishëm në tubim.

/rtsh.al/