Ishte paralajmëruar për një protestë paqësore, por viktimë e të vetmit incident që u regjistrua në tubimin prej 2 orësh të opozitës, ishte kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha. Në një ngjarje të paprecedentë, Berisha u godit me grusht në fytyrë nga një 31-vjeçar i identifikuar si Gert Shehu. Incidenti u regjistrua pasi Berisha iu bashkua protestuesve dhe nisën marshimin drejt kryeministrisë, ku 31-vjeçari e goditi ish-kryeministrin me grusht, duke e lënë të mavijosur në fytyrë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i protestuesve dhe badigardëve të kryedemokratit të cilët kanë ndërhyrë për të mbrojtur Berishën. Protestuesit e tjerë kanë goditur më pas qytetarin që goditi Berishën, i cili është dërguar në Spitalin e Traumës, ndërsa paraprakisht dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Momenti i goditjes së Sali Berishës
Pas incidentit, gjatë fjalës së tij, Berisha kërkoi lirimin e 31-vjeçarit, teksa hodhi akuza se pas ngjarjes fshihej kryeministri Edi Rama.
“Le t’i themi policisë liroje fatkeqin, liroje sepse ai është një mjeran që ka shitur veten dhe përpiqen sot ta lidhin me pista që çojnë nga Turqia apo ndonjë vend tjetër. Ka vetëm një autor, ky është Edi Rama, ka vetëm një arkitekt, ky është Edi Rama. Atë lirojeni dhe mos shpërndanin dokrra dhe përralla sepse autori i vërtetë është ulur në Samit”, tha Berisha.
Të njëjtat akuza ndaj Ramës hodhi edhe aleati i tij, kreu i PL-së, Ilir Meta, i cili ishte po ashtu pranishëm në protestë.
Protesta u mbajt në të njëjtën ditë kur në Tiranë po mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor, por megjithatë tubimi u zhvillu jashtë perimetrit të sigurisë.
Në fund të fjalës së tij, Berisha siguroi mbështetësit se do të vijojë me aksionin për largimin e kryeministrit Rama nga pushtetit, por pa dhënë detaje mbi organizimin e protestave të tjera.
Zhvillimet minutë pas minute
Ora 14:00/ Berisha: Samiti, mbështetje për shqiptarët, Rama i padenjë të na përfaqësojë
Me mirënjohje dhe falënderime për liderët e vendeve të BE e ka nisur kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, fjalën në protestën e thirrur prej tij. Teksa e konsideroi mbajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë si një mbështetje për shqiptarët, Berisha theksoi se, sipas tij, përfaqësuesi i vendit tonë nuk duhej të ishte kryeministri Edi Rama. Ai e akuzoi kreun e qeverisë shqiptar për korrupsion dhe se ka vjedhur votën e lirë në vend, teksa shtoi se Rama “duhej të ishte sot pas hekurave”. Duke iu përgjigjur akuzave të maxhorancës, që e konsideruan protestën si reagim kundër BE, Berisha tha se qëllimi i tyre është që shqiptarëve t’u dëgjohet zëri.
“Në emrin tuaj më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë shtetarëve në të lartë të vendeve të BE dhe vendeve fqinje. Është rast i veçantë t’u shprehim atyre, PE dhe KE mirënjohjen tonë të pakufishme për ndihmën e gjithanshme. Prania e qeveritarëve më të lartë të vendeve anëtare të BE është mbështetja më e madhe që vlerat europiane kanë marrë në vendin tonë. Ky Samit është mbështetje e madhe për shqiptarët që e konsiderojnë anëtarësimin në BE si të ardhme më të mirë. Është mbështetje për PD që në betejën për vlerat europiane përmbysi diktaturën komuniste, anëtarësoi Shqipërinë në KE, në NATO, mori rekomandimin e statusit kandidat. Të gjithë ne jemi mirënjohës me nderin e madh që iu bë Shqipërisë sot këtu duke zgjedhur Tiranën për këtë Samit, por jemi fatkeq për shkak se përfaqësohemi në këtë Samit nga njeriu që duhej të ishte sot para drejtësisë. Ndihemi fatkeq sepse pushteti i atij që na përfaqëson qëndron mbi krimin elektoral. Sot është dita që Europa dhe bota kanë mundësi të njihen me të vërtetat e Shqipërisë. Ky Samit është mundësi e artë që shqiptarëve t’u dëgjohet zëri. Ne nuk jemi këtu në një manifestim festiv, por në një protestë me qëllimin madhor që sot të jehojë para liderëve të vendeve europiane. Nuk mund të pranonim që ky Samit të konsiderohet si mbështetje për qeverinë e Ramës, siç po e paraqet ai. Shqipëria është sot në rrezik ekzistencial. Ata që i vjedhin një populli votën, i vjedhin të ardhmen. Në të shkuarën tonë, ne të gjithë votonim çdo 4 vite, por dallimi mes nesh dhe njerëzve të lirë ishte si dallimi mes natës dhe ditës”, tha Berisha.
Ora 13:30/ Meta: Goditja e Berishës, vepër e kryeministrit skizofren
“Liri-demokraci”, me këto ovacione ka nisur fjalën e tij në protestën e opozitës, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit, akuzoi Kryeministrin Edi Rama si orkestruesin e ngjarjes së rëndë që ndodhi në protestë, të goditjes me grusht të Sali Berishës, në atë që duhej të ishte një protestë paqësore. Duke e cilësuar si kryeministër mafioz, delinkuent dhe tradhtar, Meta akuzon Ramën si zbatuesin e platformës së spastrimit etnik përmes instalimit të regjimit mafioz.
“Koha e fjalëve dhe e fjalimeve duhet t’i lërë vendin kohës së veprimeve të organizuar për ti treguar vendin pjellës më bastarde të kësaj toke që orkestroi sot në ditën e samitit evropian një ngjarje të denjë për kryeministër skizofren, delinkuent dhe tradhtar. Për zbatuesin e platformës së spastrimit etnik në formën më të egër, që e ndjen sot çdo familje shqiptare, të shpopullimit, të të rinjve të rejave të këtij vendi përmes instalimit të një regjimi mafioz”, deklaroi Meta.
Ora 13:20/ Zhupa: Rama e nisi duke përdorur grushtin ndaj Berishës, do e marrë përgjigjen 100-fish
Deputetja demokrate Ina Zhupa e nisi fjalën e saj në protestën e PD me një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi pak më parë, ku një qytetar goditi me grusht në fytyrë kreun demokrat zgjedhur nga Rithemelimi, Sali Berisha.
Zhupa paralajmëroi se grushti ndaj Berishës, do i kthehet 100-fish. Sipas deputetes demokrate, qeveria Rama e ka kthyer Shqipërinë në një vend të pastrimit të parave të krimit ndërsa e ironizon më tej duke thënë se falë Ramës është kthyer emigrimi me gomone.
“Qeverisje antishqiptare. Rama e tregoi se është bastard politik. E nisi duke përdorur grushtin. Ja garantojmë se do ta marrë përgjigjen mbrapsht 100-fish. Heshtja e vret demokracinë. Ne do flasim. Me zërin tonë do themi si në ’90 se e duam Shqipërinë si gjithë Europa, vend të lirë, demokratik, me mirëqenie. Si mundemi në 2022 ti rikthehemi emigrimit me gomone. Duhet të jemi qytetarë evropianë që shkojnë në Europë me dinjitet. Të gjithë e dimë se BE i thotë “JO” amnistisë fiskale, pastrimit të parave të posta. Rama i thotë “PO”. BE i thotë JO pasaportave të arta, ndërsa Rama bën thirrje për blerje apartamentesh. BE i thotë “JO” koncensioneve pa garë, Rama Portin strategjik të Durrësit ja jep një kompanie off-shore, pa garë. Rama si anti-shqiptar e fal dhe e përdor për të pasuruar veten dhe të afërmve të tij. I mirëpresim liderët e BE dhe themi me zërin tonë “PO” BE-së dhe “JO” Ramës. Rama nuk na përfaqëson”, tha Zhupa.
Ora 13:00 Këlliçi: Uroj që pas ngjarjes të mos fshihet Rama! Do i shkojmë deri në fund
Kandidati i Rithemelimit për zgjedhjet vendore të 14 Majit, Belind Këlliçi, pas ngjarjes së paprecedentë që ndodhi në protestën e PD, ku Sali Berisha u godit me grusht nga një qytetar, hodhi dyshime se pas incidentit fshihet Kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij gjatë protestës, Këlliçi paralajmëroi se opozita do i shkojë deri në fund ngjarjes së rëndë që ndodhi këtë të martë. Këlliçi thekson se Rama është turpi i qeverisë shqiptare.
“Është momenti ta dëgjojnë evropianët që janë në samit “Rama Ik”. Dua ta nis me një fjalë të drejtpërdrejtë me Edi Ramën. Uroj që pas incidentit të sotëm të mos jesh ti. Uroj që pas incidentit të sotëm të mos jesh as ti as ndonjë nga levat e tua dhe bastardët që ke në Bashkinë e Tiranës. Do i shkojmë deri në fund asaj që ndodhi sot”, tha Këlliçi.
Ora 12: 53/ Goditi me grusht në fytyrë Sali Berishën, shoqërohet në polici qytetari
Personi i cili goditi me grusht në fytyrë kreun e PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, është shoqëruar në polici. Sikurse mund të shihet edhe në foto, ai duket i gjakosur pasi u godit nga protestuesit e tjerë, të cilët iu bashkuan Berishës në protestën e thirrur prej tij. Autori i dhunimit të Sali Berishës është identifikuar nga policia si Gert Shehu, 31 vjeç
/rtsh.al/