Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla takoi të shtunën shqiptarët e Firences.
“Unë dhe kolegët e mi që kemi ardhur sonte këtu do t’ju kërkonim të votonit Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, dhe unë do ta quaja historik mandatin e katërt. Shqiptarët në shumicë edhe në Shqipëri, edhe në diasporë e dinë fare mirë, se nëse duam ta shohim Shqipërinë tonë, anëtare të Bashkimit Europian, këtë mund ta bëjmë vetëm me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste" tha ai.
Balla u rikujtoi shqiptarëve në Firence se prej datës 11 janar do të nisë procesi i regjistrimit, sipas një modeli që ekziston në shumë vende.
"Sot, në ofertat politike në Shqipëri, nuk gjen në asnjërën prej tyre që të ketë një ekip si ekipi i Partisë Socialiste, një program Shqipëria 2030 si programi ynë dhe një udhëheqës si Edi Rama, i cili do të garantojë përmbylljen e kësaj etape historike të Shqipërisë sonë anëtare të Bashkimit Europian deri në vitin 2030″, tha Balla.
Lidhur me detyrimin për t’i garantuar çdo fëmije që lind me të paktën një prind shqiptar që të mësojë gjuhën shqipe, Balla tha se, historia do na gjykojë. Kemi nisur me “Mësues për Greqinë” dhe qëllimi është që shumë shpejt ta shtrijmë këtu në Itali, u tha ministri shqiptarëve në takimin e Firences.
Ministri foli edhe për synimin e Partisë Socialiste dhe qeverisjes së saj që të tërheqë investimet e diasporës. “Shqipëria ende nuk ka kapacitete të mjaftueshme dhe investimi në turizëm është sot investimi i duhur në Shqipërinë tonë të dashur”, theksoi ai.
Shqipëria, tha Balla, është sot më e drejtë se 10 vite më parë, sepse ka shumë politikanë që po shkojnë para drejtësisë. “Shqipëria është më e drejtë, sepse sot nuk ka më persona që konsiderohen të paprekshëm nga drejtësia dhe askush nuk e imagjinonte 10-12 vite më parë, as ne nuk e imagjinonim kur hodhëm themelet e drejtësisë së re, se do të vinte dita kur presidentë, ministra, kryeministra të ndëshkoheshin nga drejtësia. Dhe ky është një shërbim që i shërben brezave që do vijnë, që ia bëjmë Shqipërisë sonë në rrugën drejt BE”, ishte mesazhi i Ballës para shqiptarëve të Italisë, duke u kërkuar edhe atyre që në 11 maj mbushin 18 vjeç të regjistrohen e të marrin pjesë në zgjedhje.
“Ne duam besimin e diasporës për të votuar për një mandat të katërt Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, sepse siç e themi shpesh: Ndoshta ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”, përfundoi Balla.
/ rtsh.al /