RTSH 24 Live

Aktualitet

Sulmi me tritol në banesën e gjyqtarit në Shkodër, KLGJ: Dënojmë aktin, drejtësia të kryej punën pa frikën e kërcënimeve

28/04/2024

Sulmi me tritol në banesën e gjyqtarit në Shkodër, KLGJ: Dënojmë aktin, drejtësia të kryej punën pa frikën e kërcënimeve

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit ka dënuar sulmin me tritol në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj. KLGJ e cilëson këtë sulm si cenim të sigurisë së gjyqtarit, por dhe një kërcënim serioz për të gjithë shoqërinë.

Përmes një postimi në facebook, KLGJ kërkon që të zbardhet ngjarja dhe autorët të dalin para drejtësisë.

“Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë”, shkruan KLGJ në facebook.

Gjithashtu KLGJ i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve që të ushtrojnë detyrën e tyre pa frikën e kërcënimeve.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës”, shkrua  KLGJ.

Gjatë orëve të para të mëngjesit në lagjen "Tom Kola" në qytetin e Shkodrës ka shpërthyer një sasi tritoli në derën e oborrit në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj. Fatmirësisht nga shpërthimi i tritolit nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale.

/rtsh.al/