RTSH 24 Live

Aktualitet

Sulmi kibernetik, Ministria e Brendshme: Rihapen përkohësisht sportelet fizike në policinë e shtetit dhe gjendjen civile

18/07/2022

Sulmi kibernetik, Ministria e Brendshme: Rihapen përkohësisht sportelet fizike në policinë e shtetit dhe gjendjen civile

Sulmi kibernetik ka risjellë hapjen e përkohshme të sporteleve fizike, si pasojë e mbylljes së përkohshme të shërbimeve publike online. Nëpërmjet një njoftimi, Ministria e Brendshme bën me dije se shërbimet esenciale të Policisë së Shtetit dhe Gjendjes Civile do të ofrohen fizikisht pranë sporteleve përkatëse për qytetarët deri në përfundim të kundërsulmit.

Në vijim të komunikimit të mëparshëm të Ministrisë së Brendshme duam të theksojmë se njoftimi lidhet vetëm me shërbimet esenciale të Policisë së Shtetit dhe Gjendjes Civile të cilat do të ofrohen fizikisht pranë sporteleve përkatëse për qytetarët deri në përfundim të kundërsulmit. Kjo është një situatë tërësisht e përkohshme e diktuar nga sulmi kibernetik i sinkronizuar jashtë Shqipërisë, për të cilin po kryhet një kundërofensivë nga AKSHI dhe aleatët tanë për t’u rikthyer në normalitet shumë shpejt. Shërbimet qeveritare online janë një histori suksesi në Shqipëri pavarësisht ngërçit momental të krijuar prej sulmit kibernetik. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për vështirësitë e krijuara”, njofton Ministria e Brendshme.

Ditën e djeshme (17 korrik), AKSHI bëri me dije mbylljen e përkohshme të shërbimeve publike online si pasojë e këtij sulmi, ndërsa kryeministri Edi Rama njoftoi sot se ato do të rikthehen shumë shpejt, pasi agresori është në tërheqje.

/rtsh.al/