RTSH 24 Live

Lindja e Mesme

Sulmet izraelite lënë mbi 80 të vrarë në Gazë, Hezbollahu nis raketat drejt Izraelit

02/11/2024

Sulmet izraelite lënë mbi 80 të vrarë në Gazë, Hezbollahu nis raketat drejt Izraelit

Qeveria në Gazë raportoi të shtunën se 84 palestinezë humbën jetën prej goditjeve nga Izraeli një ditë më parë.

Ndër viktimat numërohen edhe mbi 50 fëmijë si pasojë e dy bombardimeve drejt godinave të banuara në kampin e refugjatëve në Xhabalje dhe në kampin e Nusejratit. Mediet lokale raportuan se në godina strehoheshin të paktën 170 palestinezë dhe të tjerë persona mund të jenë nën gërmadhën e krijuar.

Një nga objektivat në Nusejrat ishte një shkollë e kthyer në strehimore për palestinezët e shpërngulur nga lufta. Që nga fillimi i konfliktit tetorin e shkuar, rreth 200 qendra të ngjashme raportohen se janë goditur nga ushtria izraelite.

Ushtria izraelite raporton 15 raketa të lëshuara nga Libani

Ndërsa Izraeli vazhdon të bombardojë Libanin, edhe grupi Hezbollah vijoi këtë fundjavë të lëshojë predha drejt territorit izraelit.

15 raketa u lëshuan nga jugu i Libanit drejt zonës së Galilesë në veri të Izraelit, duke aktivizuar sirenat e alarmit në Akre, Naharijë, Gjirin e Haifës dhe në disa qyteza të tjera. Ushtria izraelite tha se shumica e predhave u interceptuan, ndërsa të tjerat ranë në zona të hapura.

Hezbollahu goditi më herët edhe dy qytete në qendër të Izraelit, Hasharonin dhe Tirën, duke lënë rreth 30 të plagosur prej sulmeve. Në sulmet e fundit, objektivi ishin një bazë inteligjence.

Grupi i armatosur libanez postoi në mediet sociale edhe foton e një droni, që pretendohet se fluturoi mbi qytetin e Akresë në veri të qytetit portual të Haifës. Ushtria izraelite mësohet se e monitoroi për rreth 40 minuta hyrjen e "mjetit ajror armik" në hapësirën izraelite.

/rtsh.al/