Shtetet e Bashkuara, dhe ndërmjetësit arabë, po mundohen që të përmbyllin gjatë kësaj jave një marrëveshje mes Izraelit e Hamasit për t’i dhënë fund luftës 14-mujore në Rripin e Gazës. Një zyrtar palestinez i afërt me bisedimet tha të mërkurën se ndërmjetësit i kanë ngushtuar dallimet për shumicën e klauzolave të marrëveshjes.
Sipas Reuters një burim i afërt me bisedimet që zhvillohen në Kajro është shprehur se marrëveshja parasheh armëpushim dhe lirimin e pengjeve që po mbahen në Gaza në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë që po mbahen nga Izraeli. Por, ndërkohë bombardimet izraelite vijojnë në Gaza me mjekët që thanë se vetëm gjatë 24 orëve të fundit u vranë në veri të enklavës më shumë se 40 persona dhe plagosën mbi 300 të tjerë.
Forcat izraelite kanë operuar në qytezat Beit Hanoun dhe Beit Lahiya si dhe në kampin “Jabalia” që nga tetori. Ushtria thotë se qëllimi i fushatës është që të parandalohet rigrupimi i militantëve të Hamasit. Sidoqoftë, palestinezët e akuzojnë Izraelin për kryerje të akteve të “spastrimit etnik” për ta shpopulluar skajin verior të rripit të Gazas e për të krijuar një zonë neutral, akuzë kjo që mohohet nga Izraekli.
Megjithatë, mediat e huaja shkruajnë se Izraeli po përpiqet të zbatojë të ashtuquajturin "Plani i Gjeneralëve" me urdhrat e evakuimit që ka lëshuar posaçërisht për veriun. "Plani i Gjeneralëve", parashikon deportimin e palestinezëve nga veriu i enklavës, më pas rrethimin e zonës dhe parandalimin e hyrjes së ushqimit, karburantit dhe ujit të pijshëm. Në këtë rast, rezistentët e armatosur detyrohen të zgjedhin midis "vdekjes ose dorëzimit" dhe palestinezët që nuk largohen nga rajoni "trajtohen si elementë armik". Ndërkohë, ushtria izraelite vazhdon të zhvendosë me forcë me "urdhrin e ri të evakuimit" po ashtu edhe palestinezët që banojnë në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, ku ka kryer sulme të dhunshme prej 14 muajsh.
/RTSH/