RTSH 24 Live

Botë

Sulmet e Izraelit mbi Liban, OKB: Jemi thellësisht të shqetësuar, palët të vetëpërmbahen

2 orë para

Sulmet e Izraelit mbi Liban, OKB: Jemi thellësisht të shqetësuar, palët të vetëpërmbahen

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësimin pas sulmit izraelit në Bejrut ku ka kërkuar vetëpërmbajtje maksimale. OKB u bën thirrje të gjitha palëve që të de-përshkallëzojnë konfliktin dhe të tregojnë maturi në veprimet e tyre, teksa situata është ndezur edhe më shumë pas vrasjes së komandantit të lartë të Hezbollahut në kryeqytetin libanez, Bejrut.

Jemi, sigurisht, shumë të shqetësuar për përshkallëzimin e shtuar… duke përfshirë sulmet vdekjeprurëse që pamë sot në Bejrut. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të de-përshkallëzojnë menjëherë konfliktin. Të gjithë duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale”, është shprehur Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Sulmi i sotëm i përshkruar nga IDF me objektiv të qartë vrau Ibrahim Aqil, kreun e forcës elitare të Hezbollahut Radëan, dhe të paktën 10 komandantë të tjerë të Hezbollahut në periferi të Dahiyeh të Bejrutit, një bastion i Hezbollahut.

 “Qëllimet tona janë të qarta dhe veprimet tona flasin vetë”, tha kryeministri Netanjahu pas sulmit izraelit në Bejrut. 

Ndërkaq, Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant ka deklaruar se pas vlerësimit të situatës në terren së bashku me  shefin e shtabit të IDF-së gjeneral-lejtant Herzi Halevi dhe oficerë të tjerë të lartë ushtarakë, Izraeli do të vijojë aksionet ushtarake derisa banorët e veriut të kthehen në shtëpi.

Deklarata e Gallant vjen pas vrasjes së komandantit të lartë të Hezbollahut Ibrahim Aqil në Liban.

Edhe në Dahiyeh në Bejrut, ne do të vazhdojmë të ndjekim armikun tonë për të mbrojtur qytetarët tanë. Radha e operacioneve në fazën e re [të luftës] do të vazhdojë derisa të arrihet qëllimi ynë: Kthimi i sigurt i banorëve të veriut në shtëpitë e tyre”, ka shkruar Gallant në rrjetin social “X”.

/rtsh.al/