RTSH 24 Live

Politikë

Pa “Venecian”, s’ka vendim për mandatet e deputetëve të PS, Gogu: Partnerët të bëjnë durim

2 orë para

Pa “Venecian”, s’ka vendim për mandatet e deputetëve të PS, Gogu: Partnerët të bëjnë durim

Partia Socialiste nuk do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese asnjë mocion për vlefshmërinë e mandatit të deputetëve derisa Komisioni i Venecias të sjellë opinionin e ekspertëve të tij mbi  këtë çështje.

Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Toni Gogu, bëri të qartë pozicionin e shumicës gjatë një interviste për emisionin “Pa Censurë”.

“Ne do të presim derisa të jemi të qartë nga përgjigja për të cilën kemi pyetur Komisionin e Venecias”- tha zoti Gogu, duke iu referuar konkretisht edhe rastit të deputetes Olta Xhaçka, edhe të deputetit Vullnet Sinaj.

PS thotë se Gjykata Kushtetuese nuk mund të detyrojë deputetët sesi të votojnë, siç ka bërë gjykata në vendimin e dytë të saj për çështjen Xhaçka, pasi socialistët refuzuan dy herë t’ia dërgojnë për shqyrtim Kushtetueses.

“Kemi një ndërhyrje në pushtetin legjislativ. Është vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese, duke na thënë “do të votoni në këtë mënyrë, pra na ka përcaktuar vendimarrjen. Kjo cënon parimin e ndarjes së pushteteve dhe diskrecionin tonë si deputetë për të vendosur.”- u shpreh zoti Gogu.

Ai u rezervua të bëjë komente për  reagimin kritik të SHBA dhe BE, sipas të cilëve, vendimi i PS nuk ishte në drejtimin e duhur, por zoti Gogu ka një mesazh për partnerët.

“Ne i dëgjojmë shumë mirë partnerët dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm. Në këtë rast u themi “le të durojmë sa të marrim dhe një mendim të specializuar dhe do të marrim vendimarrjen që na ngarkon Kushtetuta”- u shpreh Toni Gogu për emisionin “Pa Censurë”, ku u diskutua edhe rasti i precedentit të deputetit Koço Kokëdhima, një rast i ngjashëm në vendimarrje me atë të deputetes Olta Xhaçka.

Në vitin 2015, PS refuzoi të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit Koço Kokëdhima, por në shkurt 2016, Gjykata Kushtetuese vendosi me një gjuhë të ngjashme si kjo e tanishmja.

Në atë kohë PS e pranoi pa debat këtë vendim ku thuhej se “Kuvendi duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.”

Në fund, Gjykata vendosi për shkeljen e Kushtetutës nga zoti Kokëdhima dhe  ia hoqi mandatin e deputetit. 

/rtsh.al/