RTSH 24 Live

Botë

OKB, Izraeli pritet të deklarojë se "dritarja diplomatike po mbyllet" për konfliktin në Liban

3 orë para

OKB, Izraeli pritet të deklarojë se "dritarja diplomatike po mbyllet" për konfliktin në Liban
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon

Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara pritet t'i deklarojë Këshillit të Sigurimit se "dritarja diplomatike e mundësive po mbyllet" për të dënuar dhe frenuar Hezbollahun dhe Iranin. Qëndrimi u bë I ditur nga misioni izraelit në OKB. 

Këshilli i Sigurimit do të mblidhet më vonë të premten për një diskutim urgjent mbi "zhvillimet e fundit në Liban". 

Danny Danon do të thotë se “Këshilli i Sigurimit duhet të dënojë fuqishëm Iranin dhe Hezbollahun. Ka ardhur koha për të kaluar në veprim - fjalët nuk mjaftojnë." 

Ai do t'i tregojë takimit se për një kohë të gjatë janë injoruar rezolutat e OKB-së, duke cituar rezolutën 1701 të OKB-së – e cila përcakton se forcat e Hezbollahut duhet të tërhiqen në veri të lumit Litani dhe se vetëm ushtria libaneze duhet të mbajë pozicione në zonën kufitare. 

“Është koha që Hezbollahu dhe Irani të mbajnë pasoja të rënda për veprimet e tyre. Hezbollahu duhet të çarmatoset dhe Irani duhet të mbahet përgjegjës për destabilizimin e rajonit”, do të deklarojë Danon në takim, sipas misionit të Izraelit në OKB. 

Ushtria izraelite: Sulmi në Bejrutit vrau edhe operativë dhe komandantë të lartë të Hezbollahut 

Operativët e lartë në shtabin e operacioneve të Hezbollahut dhe komandantët nga Forca Radwan elitare të Hezbollahut u vranë në sulmin e Izraelit në Bejrutin jugor, pretendoi ushtria izraelite të premten.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari, tha se "rreth 10 komandantë" u vranë.  

Ushtria pretendoi më herët se zyrtari i lartë ushtarak i Hezbollahut, Ibrahim Aqil u vra gjithashtu në sulm.

Ushtria pretendoi se Aqil dhe komandantët ishin arkitektët e një plani për të bastisur dhe pushtuar komunitetet në Galile në Izraelin verior dhe për të vrarë civilë dhe ushtarë izraelitë, duke e krahasuar atë me sulmet e 7 tetorit të kryera nga Hamasi vitin e kaluar. 

"Ata ishin nën tokë nën një ndërtesë banimi në zemër të lagjes Dahya, duke përdorur civilët si mburojë njerëzore," tha Hagari në një konferencë shtypi të premten. “Ata po koordinonin operacionet terroriste kundër qytetarëve izraelitë”. 

Në deklaratën e saj, ushtria akuzoi gjithashtu Aqilin për promovim ose pjesëmarrje në sulme të tjera kundër Izraelit. Nuk ka asnjë konfirmim nga Hezbollahu për vrasjet.

Numri i viktimave është rritur në të paktën 12 nga sulmi i Izraelit në Bejrutin jugor, thotë ministria e shëndetësisë e Libanit. 66 persona të tjerë u plagosën, përfshirë nëntë në gjendje kritike.

Të paktën dy ndërtesa banimi u shembën në zonën Jamous të periferisë jugore të qytetit pas një sulmi izraelit që synonte një komandant të lartë të Hezbollahut.

Ministri izraelit i mbrojtjes: Armiqtë tanë nuk kanë vend strehimi

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit sapo ka lëshuar një deklaratë në vazhdën e sulmit në Bejrut. Në një postim në X. Yoav Gallant thotë: "Armiqtë tanë nuk kanë vend strehimi - madje as Dahieh në Bejrut.

"Ne do të vazhdojmë të operojmë kundër Hezbollahut derisa të arrijmë misionin tonë: sigurimin e kthimit të sigurt të komuniteteve veriore të Izraelit në shtëpitë e tyre."

Ambasada e Iranit: Izraeli kapërceu të gjitha kufijtë 

Ambasada e Iranit në Liban akuzoi Izraelin se ka kaluar "të gjithë kufijtë" pas një sulmi vdekjeprurës në Bejrutin jugor të premten që shkatërroi të paktën një ndërtesë banimi. 

/rtsh.al/