RTSH 24 Live

Botë

Hamasi: Sulmi në Bejrut, brutal! Tel Avivi: S’ndalemi, s’do gjeni vend të futeni  

4 orë para

Hamasi: Sulmi në Bejrut, brutal! Tel Avivi: S’ndalemi, s’do gjeni vend të futeni  

Hamasi ka dënuar sulmin brutal izraelit në Bejrut, për të cilin ushtria izraelite bëri të ditur se vrau kreun e njësisë elitare të Hezbollahut Radëan, Ibrahim Aqil.

Grupi i armatosur me bazë në Liban është aleat me Hamasin teksa Hezbollahu i shtoi sulmet e tij ndaj Izraelit pasi ushtria e tij sulmoi Gazën në përgjigje të sulmeve të pashembullta të Hamasit të 7 tetorit, në të cilat rreth 1200 njerëz në Izraelin jugor u vranë dhe më shumë se 250 persona u morën peng.

Si Hamasi ashtu edhe Hezbollahu janë cilësuar si organizata terroriste nga shtetet perëndimore, Izraeli dhe disa vende arabe. Në deklaratën e fundit, Hamasi tha se “dënon agresionin brutal dhe terrorist”, duke e përshkruar atë si “një përshkallëzim”.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes i Izraelit lëshoi një deklaratë në vazhdën e sulmit në Bejrut.

Në një postim në “X”, Yoav Gallant shkruan se “armiqtë tanë nuk do gjejnë vend të futen- madje as në Dahieh të Bejrutit. Ne do të vazhdojmë të operojmë kundër Hezbollahut derisa të arrijmë misionin tonë: sigurimin e kthimit të sigurt të komuniteteve veriore të Izraelit në shtëpitë e tyre”

Rreth 60, mijë njerëz janë evakuuar nga Izraeli verior për shkak të sulmeve pothuajse ditore nga grupi i mbështetur nga Irani në Liban.

Nga ana tjetër, OKB-ja ka shprehur shqetësim pas sulmit izraelit në Bejrut ku ka kërkuar vetëpërmbajtje maksimale.

OKB u bën thirrje të gjitha palëve që të de-përshkallëzojnë konfliktin dhe të tregojnë maturi në veprimet e tyre, teksa situata është ndezur edhe më shumë pas vrasjes së komandantit të lartë të Hezbollahut në kryeqytetin libanez, Bejrut, transmeton BBC. 

Jemi, sigurisht, shumë të shqetësuar për përshkallëzimin e shtuar… duke përfshirë sulmet vdekjeprurëse që pamë sot në Bejrut. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të de-përshkallëzojnë menjëherë konfliktin. Të gjithë duhet të ushtrojnë përmbajtje maksimale”, është shprehur Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

/rtsh.al/