Të paktën 10 persona janë vrarë dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë në qytetin Örebro, në Suedinë Qendrore, sipas televizionit publik suedez, SVT.
Ngjarja ndodhi në shkollën Risbergska, në një kampus ku janë vendosur edhe shkolla të tjera.
Policia konfirmoi fillimisht vetëm pesë persona të plagosur, të cilët u dërguan në spital për t'u kuruar me plagë të lehta deri në të rrezikshme për jetën e personave. Mes të plagosurve mësohet se është edhe vetë autori i ngjarjes.
Kryeministri Ulf Kristersson shprehu ngushëllimet për viktimat: "Me trishtim kam marrë informacion për aktin e tmerrshëm të dhunës në Örebro. Ngushëllimet e mia atyre që janë prekur dhe të afërmit e tyre."
“Qeveria është në kontakt të ngushtë me policinë dhe po ndjek nga afër zhvillimet”, tha ministri suedez i Drejtësisë, Gunnar Strömmer.
Ndërkaq, studentët po transferohen nga shkollat pranë vendit të të shtënave në Örebro, i cili shtrihet 160 kilometra (100 milje) në perëndim të kryeqytetit suedez, Stokholm.
“Rreziku nuk ka kaluar”, thuhet në deklaratën e policisë. “Publiku të qëndrojë larg.”
Një dëshmitar okular tregoi për të shtëna në korridoret e shkollës, raportoi Associated Press, duke cituar gazetën suedeze Expressen.
“Dëgjuam tre zhurma dhe britma të forta,” tha Andreas Sundling, 28 vjeç, ndërsa ishte strehuar në një klasë. “Tani jemi ulur këtu duke pritur që të evakuohemi nga shkolla. Informacioni që kemi marrë është se duhet të qëndrojmë ulur dhe të presim.”
Shkolla Risbergska ofron kurse në nivelin e shkollës fillore dhe të mesme të lartë, dhe për nxënësit e moshës 20 vjeç e lart – duke përfshirë klasa për emigrantë, si dhe trajnime profesionale.
/rtsh.al/