Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një konferencë për shtyp është shprehur se Bashkimi Evropian është i gatshëm për një dialog konstruktiv me SHBA-të, por në të njëjtën kohë është e gatshme të përgjigjet me vendosmëri lidhur me paralajmërimin e Donald Trump për vendosjen e tarifave.
“Ka qartësisht sfida të reja dhe pasiguri në rritje, kështu që Bashkimi Evropian është i përgatitur të krijojë një dialog të fortë, por konstruktiv me Shtetet e Bashkuara” –u shpreh Ursula von der Leyen, në një takim të Këshillit Evropian në Bruksel, që iu kushtua mbrojtjes dhe marrëdhënieve transatlantike.
Von der Leyen shpjegoi se samiti diskutoi bashkëpunimin transatlantik dhe shtoi se “ne të gjithë e dimë se shumë janë në rrezik”.
“Ne diskutuam se si të forcojmë një partneritet shumë realist me SHBA-në”, theksoi ajo, duke vënë në dukje se ka sfida të reja dhe pasiguri.
Ajo shtoi se “BE-ja është e gatshme për një dialog të fortë, por konstruktiv me SHBA-në, megjithatë ka sfida të mundshme në marrëdhëniet me Uashingtonin dhe ne jemi gati për këtë”.
“Nëse BE-ja është në shënjestër të padrejtë ose arbitrare, ne do të përgjigjemi me vendosmëri”, sqaroi presidentja e Komisionit Evropian.
Lidhur me tarifat doganore amerikane për Meksikën, Kanadanë dhe Kinën, von der Leyen vlerësoi se “asgjë pozitive nuk del nga kjo”.
Siç vuri në dukje ajo, tarifat rrisin kostot e biznesit, dëmtojnë punëtorët dhe konsumatorët, krijojnë ndërprerje të panevojshme në ekonomi dhe rrisin inflacionin.
Presidentja e Komisionit Evropian, theksoi se kjo është arsyeja pse BE-ja do t’i japë përparësi diskutimeve produktive me SHBA-në dhe dëshiron që një dialog të zhvillohet në kohën e duhur.
Në të njëjtën kohë, BE-ja ka sfidat e veta me të cilat duhet të përballet, theksoi ajo.
“Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të fokusohemi në sfidat tona”. “Për të rritur dhe përmirësuar konkurrencën tonë,” tha ajo.
/rtsh.al/