RTSH 24 Live

Botë

Suedia mund të lejojë pilotët ukrainas, që të provojnë avionët e saj luftarakë Gripen

25/05/2023

Suedia mund të lejojë pilotët ukrainas, që të provojnë avionët e saj luftarakë Gripen

Ministri suedez i Mbrojtjes thotë se vendi nordik po shqyrton mundësinë nëse do t'i lejojë pilotët ukrainas të testojnë avionët e saj luftarakë, JAS 39 Gripen.

Deri më tani, Suedia ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të ndonjë aeroplani Gripen në Ukrainë, duke thënë se këta avionë i duhen vendit për mbrojtjen e saj territoriale. 

Por ministri i Mbrojtjes, Pål Jonsson i tha televizionit suedez TV4 se Suedia po e shikonte me pozitivitet kërkesën e Ukrainës, që të lejojë pilotët e saj që të provojnë avionin suedez.

"Kjo mund të nënkuptojë, për shembull, fluturime testuese, duke përdorur simulatorë, duke mësuar më shumë rreth sistemit të gjerë tokësor, që është pjesë e sistemit Gripen,"- tha ai të enjten.

Ukraina ka kërkuar prej kohësh avionë luftarakë perëndimorë për ta ndihmuar atë t'i rezistojë pushtimit rus në shkallë të gjerë. Fillimisht ngurrues, por SHBA-ja dhe vendet e tjera të NATO-s, së fundmi, kanë rënë dakord që të lejojnë pilotët ukrainas, që të trajnohen për të fluturuar me avionë luftarakë F-16, megjithëse asnjë prej vendeve të NATO-s nuk ka deklaruar se mund t’i dorëzojë Ukrainës ndonjë avion.

Kievi ka shprehur interes për avionët perëndimor, duke përfshirë Gripen, një aeroplan i cili ka një motor për t'u ngritur dhe ulur nga bazat, madje edhe në autostrada, të cilat, disa analistë thonë se do të ishte i mirë për forcat ajrore të Ukrainës, e cila aktualisht përdor avionë të epokës sovjetike.

Jonsson përsëriti se Suedia nuk ka plane të menjëhershme për të transferuar avionë Gripen në Ukrainë. Apnews

/rtsh.al/