Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga projekti fitues i konkursit ndërkombëtar për “Rozafën e Re të Shkodrës”, e cila do të ndërtohet nga studioja prestigjioze spanjolle "Selgascano Architects".
“MIRËMËNGJES, dhe me projektin fitues të konkursit ndërkombëtar, “Rozafën e Re të Shkodrës”, e studios prestigjioze spanjolle Selgascano Architects, ju uroj një ditë të mbarë,” shkruan kryeministri Rama.
Ditën e djeshme u çel në Shkodër, konkursi ndërkombëtar i arkitekturës, ku 5 studio të mirënjohura europiane i prezantuan jurisë projekt-idetë për Rozafën e Re, e cila do ta ripërtërijë e zgjerojë hotelin kryesor të qytetit, me një kapacitet të ri për Shkodrën e cila nga dita në ditë po fiton përmasa të reja të një destinacioni të Shqipërisë Turistike.
Gjatë fjalës së rastit, kryeministri Edi Rama tha se kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë që do i shtohet trashëgimisë.
“Synojmë të krijojë ikonë të këtij shekulli për Shkodrën e cila është shumë e pasur me momente e gjurmë të historisë.. Është pjesë e një vizioni që kombinon së bashku investimet publike,” u shpreh Rama.
Përfaqësuesit e studios “Selgascano Architects” nga Madridi treguan se për të ndërtuar projektin e Rozafës së re kishin punuar me tre pamje, Liqenin e Shkodrës, Alpet e Shqipërisë si dhe lumenjtë Buna e Drin.
Ata shprehen se kulla është e organizuar në tre blloqe, poshtë pjesa tregtare, apartamentet, dhë më pas hoteli që do të jetë në pjesën e sipërme.
Studiot pjesëmarrëse që punuan në projektim:
- Benedetta Tagliabue - EMBT Architects nga Barcelona
- Kuehn Malvezzi Architects nga Berlini
- Selgascano Architects nga Madridi
- Baukuh Architects nga Milano
- Piero Lissoni & Partners nga Milano