Një studim i ri ka zbuluar se periudha e lulëzimit të Perandorisë Romake ka shkaktuar një ndotje të përhapur me plumb në ajër, duke çuar në një rënie të ndjeshme të koeficientit të inteligjencës (IQ) në pjesën më të madhe të Evropës.
Analizat e bërthamave të akullit nga Arktiku tregojnë një rritje të ndotjes me plumb mes vitit 100 p.e.s. dhe 200 të erës sonë, periudhë kur minierat dhe shkrirja e metaleve ishin në kulmin e tyre. Fëmijët e lindur gjatë kësaj periudhe mund të kishin mesatarisht tre herë më shumë plumb në gjakun e tyre.
Studimi i drejtuar nga një ekip ndërkombëtar studiuesish tregon se ekspozimi ndaj plumbit mund të ketë shkaktuar një rënie të IQ-së prej 2,5 deri 3 pikësh për popullatën romake, duke prekur jo vetëm qytetarët e qyteteve romake, por edhe popullatën rurale që ishte ekspozuar ndaj ndotjes atmosferike.
“Është e mahnitshme që arritëm të përcaktojmë sasinë e ndotjes së ajrit atmosferik në Evropë gati 2.000 vjet më parë dhe të vlerësonim ndikimet e mundshme shëndetësore në qytetërimin e lashtë romak. Zbulimet tona tregojnë se gazrat antropogjenike nga aktivitetet industriale rezultuan në dëmtim të gjerë të shëndetit njerëzor për mbi dy mijë vite,” tha Dr. Joseph McConnell (lex. Xhozef Mek Konell) nga instituti amerikan "Desert Research".
Për të zbuluar impaktin e mundshëm të ndotjes, shkencëtarët përdoren modelet atmosferike për të krijuar një hartë të vendeve nga nisi të përhapet përdorimi i plumbit nëpër Europë. Më pas ata shfrytëzuan studimet më moderne për të llogaritur sasinë e metalit neurotoksik që mund të ishte akumuluar te fëmijët e kohës, si dhe ndikimin e mundshëm në inteligjencën e tyre.
/rtsh.al/