Kryetari i bashkisë së Belcastros, Antonio Torchia u ka ndaluar banorëve të sëmuren rëndë. Sipas udhëzimit të lëshuar prej tij “banorët duhet të shmangin çdo kontakt me infeksionet dhe patologjitë që kërkon ndërhyrje mjekësore, të shmangin aksidentet dhe të mos ndërmarrin aksione që mund të rrezikojnë shëndetin e tyre”.
Në vend të kësaj, ata këshillohen të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi, të mos largohen për të udhëtuar apo për të luajtur sport.
Ky udhëzim i çuditshëm vjen si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore dhe stafit të kujdesit shëndetësor në këtë qytet në jug të Kalabrisë.
“Urgjenca nuk është e hapur gajtë natës apo festave dhe se klinikat e kujdesit shëndetësor shpesh janë të mbyllura. Klinika më e afërt për banorët është 45 km larg qytetit”, tha kryetari i bashkisë.
Kjo situatë është kthyer në problem madhor për popullsinë e plakur të Belcastros, duke qenë se rreth gjysma e 1200 banorëve janë 65 vjeç e sipër.
“Ky nuk është thjesht një provokim. Urdhëresa është një thirrje për ndihmë, një mënyrë për të çuar në qendër të vëmendjes te qeveria një situatë të papranueshme”, tha kryebashkiaku Torchia.
I gjithë rajoni po përballet me mungesa të rënda të kujdesit shëndetësor, duke bërë që një në pesë banorë të Kalabrisë të kërkojnë trajtim mjekësor në pjesë të tjera të Italisë.
“Nëse nuk ofrojmë shërbime thelbësore, këto qytete, këto fshatra, do të vdesin brenda dhjetë viteve,” përfundoi ai.
Që nga viti 2022, qeveria ka rekrutuar qindra mjekë kubanë për të mbushur boshllëqet, por ekspertët vlerësojnë se 2500 mjekë të tjerë do të nevojiteshin për të siguruar kushte normale të operimit të spitaleve.
/rtsh.al/