RTSH 24 Live

Politikë

Studentët e mjekësisë kërkojnë anulimin e ligjit, Komisioni i Shëndetësisë kalon mes debatesh nenet e ndryshuara

17/09/2024

Studentët e mjekësisë kërkojnë anulimin e ligjit, Komisioni i Shëndetësisë kalon mes debatesh nenet e ndryshuara

Vetëm me votat e mazhorancës dhe mes debatesh, ligji për studentët e mjekësisë kaloi këtë të martë në Komisionin e Shëndetësisë. Kryetarja e komisionit e cilësoi antikushtetues, duke kërkuar zhbërjen e tij edhe në emër të studentëve

"Studentët e degës Mjekësi e Përgjithshme të Fakultetit të Mjekësisë, të Universitetit të Mjekësisë Tiranë, kërkojnë për herë të disatë anulimin e këtij projektligji, dhe zëvendësimin e tij me një projektligj tjetër i cili ka si synim nxitjen e motivimin e studentëve dhe mjekëve për të qëndruar në Shqipëri, dhe jo detyrimin e tyre”, tha Zheni Gjergji.

Deputeti Petrit Vasili theksoi sërish antilgjshmërinë e tij në nenin e punësimit pa licencë ndërsa Albana Vokshi e quajti ligjin pengmarrës.

Ky ligj është i paligjshëm. Këto vite ata nuk disponojnë diploma e për pasojë nuk disponojnë licencë. Ligji për urdhrin e mjekëve thotë: ushtrimi i profesionit bëhet vetëm pas licencimit”, tha Vasili.

Do të marrin licencë pasi të nënshkruajnë kontratën e punës pas diplomimit”, u përgjigj deputetja socialiste, Klodiana Spahiu

 “Të jeni të sigurt se nëse e kaloni këtë ligj në seancë, në ditën e parë që do të jemi në pushtet do ta rrëzojmë. Ne jemi për liri dhe jo për mbajtje peng të të rinjve”, u shpreh Vokshi.

Mungesa e një fature të detajuar për kostot financiare u përcoll nga opozita si handikap, pasi në mënyrë të përgjithshme ne relacion thuhet se ato do të mbulohen nga buxheti i alokuar për shërbimet parësore.

Ju kujtoj se buxheti për shpenzimet në shërbimin parësor këtë vit është reduktuar me 35%”, deklaroi Zheni Gjergji.

E pavend është cilësuar edhe mospërputhja e viteve të punës së detyrueshme me shpërndarjen sipas viteve të studimit duke qenë se sistemi ka nevoja të ngutshme

Detyrimi prej tre vitesh nuk duhej t’u vendosej studentëve që fillojnë tani në vit të parë por atyre që janë në vit të 5-të dhe të 6-të që tregu i punës të përmbushë shpejt mungesat që ka”, theksoi Gjergji.

Projekt-ligji pritet te kalojë në parlament ditën e enjte pas ndryshimeve që ju bënë duke u bazuar në propozimet e gjykatës kushtetuese, por ndërkohë nga ana tjetër mbetet për t‘u parë reagimi i studentëve të cilët sërish nuk pajtohen me të.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/