Zgjodhi Gjirokastrën për të kryer praktikën profesionale. Ky është Martini nga Spanja që për rreth 2 muaj do të jetë në drejtimin e punonjësve të sektorit të IT në universitetin “Eqrem Çabej”. Si një nga arsyet që ai veçon pse zgjodhi qytetin e gurtë është bukuria që ofron së bashku me traditën historinë dhe kulturën.
“Ma sugjeruan miqtë e mi që kanë qenë më parë këtu, në kuadër të programit Erasmus. Është një qytet i mahnitshëm që ja vlen ta vizitosh”, tha studenti spanjoll Martin Olivar,
Ky vit akademik mund të quhet ndryshe dhe viti i studentëve spanjollë në Gjirokastër. Së bashku me Martinin shkon në 6 numri i të rinjve të ardhur nga universitetet spanjolle që bashkëpunojnë me universitetin “Eqrem Çabej” për programet e mobilitetit .
Universiteti “Eqrem Çabej “ së fundi ka fituar certifikatën Charter nga programi Erasmus+ që i jep mundësinë të aplikojë për të thithur fonde për mobilitete deri në vitin 2027. Në këtë mënyrë pritet të rritet edhe numri i shkëmbimeve si për stafin dhe për studentët.
/RTSH/