RTSH 24 Live

Europë

Stoltenberg: Rusia ka humbur më shumë se 300 mijë ushtarë në Ukrainë

30/11/2023

Stoltenberg: Rusia ka humbur më shumë se 300 mijë ushtarë në Ukrainë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Rusia në luftën në Ukrainë krahas qindra avionëve dhe mijëra tankeve, ka humbur më shumë se 300 mijë ushtarë.

Në një konferencë për media në përfundim të Takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, Stoltenberg theksoi se përgjatë dy ditëve kanë diskutuar një sërë çështjesh përfshirë Ukrainën, Kinën dhe Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se kanë vlerësuar situatën në terren në Ukrainë dhe u shpreh se 50 për qind e rajoneve të marra nga Rusia janë rimarrë nga ushtria ukrainase.

Ukraina vazhdon ekzistencën e saj si një shtet sovran dhe kjo është fitorja më e rëndësishme, deklaroi Stoltenberg, i cili shtoi se Rusia ka pësuar humbje të mëdha në beteja dhe se ajo është dobësuar ekonomikisht.

Stoltenberg theksoi se Rusia në aspektin politik ka humbur ndikimin e saj jo vetëm në Ukrainë, por edhe në rajonet përreth saj në Kaukaz dhe Azinë Qendrore.

“Gjithashtu Rusia po bëhet edhe shumë më e varur ndaj Kinës. Moska çdo vit e më shumë po e hipotekon të ardhmen e saj tek Pekini. Në aspektin ushtarak Rusia ka humbur një pjesë të rëndësishme të forcave të saj konvencinale. Ka humbur qindra avionë, mijëra tanke dhe ka mbi 300 mijë humbje”, shtoi Stoltenberg.

Duke theksuar se Rusia ndodhet nën presion edhe në aspektin ekonomik, me rënie të të ardhurave të naftës dhe gazit, ku mbi 1.000 kompani të huaja kanë ndalur ose kanë zvogëluar aktivitetet e tyre në vend dhe ku 1.3 milion njerëz janë larguar nga Rusia vitin e kaluar, Stoltenberg tha se “Të gjitha këto, theksojnë se Putin ka bërë një gabim strategjik duke pushtuar Ukrainën”.

Pasi vuri në dukje se Rusia nuk duhet të merret lehtë, Stoltenberg tha se “Ekonomia e Rusisë ndodhet në bazën e një lufte. Putin ka një tolerancë të lartë kundër humbjeve. Objektivat e Rusisë në Ukrainë nuk kanë ndryshuar. Rusia para dimrit ka bërë grumbullim të madh raketor. Po shikojnë iniciativa të reja për të goditur rrjetin elektrik dhe infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Po përpiqet ta lërë Ukrainën në errësirë dhe të ftohtë”.  

/ rtsh /