RTSH 24 Live

Aktualitet

SPAK lëshon urdhër arreste për inceneratorin e Tiranës

08/12/2023

SPAK lëshon urdhër arreste për inceneratorin e Tiranës

Burime nga prokuroria e posaçme bëjnë me dije se janë lëshuar 15 urdhër arreste për inceneratorin e Tiranës. Mes personave që SPAK i kërkon policisë të arrestojë janë edhe drejtorë dhe ish- drejtorë të Bashkisë së Tiranës, zyrtarë të niveleve të ndryshme, si dhe biznesmenë. Operacioni është ende në vijim, për ekzekutimin e këtyre urdhërave arresti. 

Pritet që nesër Prokuroria e Posaçme të dalë me njoftim zyrtar. Ndërkohë disa media përmendin me emër arrestimin e disa zyrtarëve të lartë.

Paraprakisht mësohet se është lëshuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ për: Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Erjon Muratajn, Bledar Karoli, ish-drejtorin e infrastrukturës ne Bashkinë Tiranë, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Jetmir Llapaj, Pëllumb Abeshi.

Kurse me "Arrest shtëpie": Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Sidita Tola.

Më 1 gusht, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi vendosjen e sekuestros preventive ndaj kompanisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k”, që është kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës si dhe të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kësaj kompanie.

Hetimet kanë nisur në kuadër të procedimit penal nr.255 të vitit 2020, për veprat penale të “Mashtrim me pasoja të rënda”  në bashkëpunim, “Shpërdorim i  detyrës”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë dhe "pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale". 

/ rtsh.al /