RTSH 24 Live

Aktualitet

Sot shënohet Dita Botërore e Postës

4 orë para

Sot shënohet Dita Botërore e Postës

Dita Botërore e Postës festohet çdo vit më 9 tetor. Ngjarja u shpall nga Kongresi Universal Postar 1969 në Tokio si një mjet për të shënuar përvjetorin e krijimit të Unionit Universal Postar (UPU) në 1874 në Bernë të Zvicrës.

Qëllimi i Ditës Botërore të Postës është të ndërgjegjësojë rolin e Postës në jetën e përditshme të njerëzve dhe bizneseve, si dhe kontributin e saj në zhvillimin social dhe ekonomik global.

Si rezultat, vendet anëtare të UPU inkurajohen të organizojnë aktivitetet e tyre kombëtare për të festuar ngjarjen, duke përfshirë gjithçka nga prezantimi ose promovimi i produkteve dhe shërbimeve të reja postare, deri te organizimi i ditëve të hapura në zyrat postare, qendrat e postës dhe muzetë postarë. .

Për një shekull e gjysmë, sistemi postar ka qenë një mjet shpëtimi për njerëzit, qeveritë dhe bizneset në mbarë botën.

Dita Botërore e Postës festohet çdo vit më 9 tetor për të rritur ndërgjegjësimin për rolin e sektorit postar në jetën tonë të përditshme, si dhe kontributin e tij në zhvillimin social dhe ekonomik global.

UPU ishte një hap i madh drejt mundësimit të shkëmbimit efikas të postës ndërkombëtare, e cila nga ana tjeër vendosi themelet për komunikimin modern global.

Historia

Kjo ditë përkujton themelimin e Unionit Universal Postar (UPU) në 1874.

UPU u themelua në Bernë, Zvicër, si një organizatë globale për të përmirësuar shërbimet ndërkombëtare të postës dhe për të krijuar një sistem të unifikuar postar , duke e bërë më të lehtë për vendet shkëmbimin e postës .

Shërbimet postare janë shërbimet më të vjetra dhe më të përdorshmet. Ato lindën së bashku me njerëzimin, si një nevojë e domosdoshme e komunikimit midis fiseve, krahinave e rajoneve të ndryshme.

Në periudhën e hershme ato u realizuan në forma të ndryshme duke shfrytëzuar edhe relievin natyror dhe pozicionet gjeografike, duke përdorur sinjale me zë, me zjarre e forma të tjera.

Me zhvillimin e shoqërisë njerëzore, avancuan mënyrat e komunikimit, filluan të përdoren lajmëtarët që lëviznin me këmbë, me ditë të tëra për dërgimin e lajmit, filluan sinjalet me brirë, daulle, sinjale ndriçuese, të cilat përbëjnë edhe fillimin e organizimit të shërbimit postar.

Dokumenti i parë i shërbimit postar është gjetur në Egjipt dhe daton rreth 255 vjet përpara lindjes së Krishtit.

Sipas këtij dokumenti, shërbimi postar është prezent në të gjithë kontinentet në formë të mesazheve, për dërgimin e tyre udhëtohej me ditë e muaj nga një kontinent në tjetrin.

Ky lloj shërbimi sigurisht erdhi duke u zhvilluar e përsosur si një nevojë e domosdoshme e komunikimeve universale, ku filluan të përdoren kalorësit dhe karrocat me kalorës dhe në raste të veçanta të shoqëruar me forca të tjera.

Një rëndësi të veçantë në këtë periudhë mori shpejtësia e dërgimit të mesazheve dhe mbrojtja e lajmëtarëve.

Në shumë vende lajmëtarët filluan të shoqëroheshin me mjetet e kohës duke transmetuar lajmin në formë stafete deri në mbërritjen në destinacion.

Në këto momente konfigurohet realisht simboli tani i pa zëvendësueshëm i lajmëtarit (sot shpërndarësi i postës), i cili tani është transmetuesi dorë më dorë i të gjitha mesazheve të shkruara, mesazhe të cilat nuk mundi t’i zëvendësojë as teknologjia e sotme moderne.

Me lindjen dhe zhvillimin e sistemit kapitalist, shërbimi postar u bë një domosdoshmëri e veçantë komunikimi ndërmjet vendeve që tani kishin një zhvillim të shpejtë industrial.

Rritja e shpejtë e sektorëve të ndryshëm të ekonomive të vendeve të ndryshme e kryesisht atyre të zhvilluara, u shoqërua edhe me dendësinë e madhe të dokumentacionit.

Një tjetër simbol i veçantë i bashkëngjitet simboleve të postës automjete të veçanta për transportin e postave me emblemë e simbole njohëse për publikun. Kërkesa për komunikime me shpejtësi ndërmjet vendeve në kontinente të ndryshme rritën koston e këtij shërbimi. Njëkohësisht filloi të rritej me shpejtësi komunikimi me shkrim ndërmjet njerëzve si e vetmja mënyrë komunikimi ndërmjet tyre.

Në këto kushte lindi si domosdoshmëri përcaktimi i rregullave universale të komunikimit dhe mënyrat e pagesave. Në fillim të shekullit 17, filloi shkëmbimi i dërgesave postare ndërmjet vendeve, bazuar në marrëveshje bilaterale ndërmjet tyre, por që vazhdonte të mbetej shqetësim mënyra e pagesës së shërbimit për shkak edhe të kostove të larta të tij.

Futja e teknologjive të reja të komunikimit ndërmjet vendeve dhe njerëzve, diktuan nevojën e përsosjes të mëtejshme te shërbime postare në mbarë botën, duke kaluar në përdorimin e teknologjive moderne edhe për realizimin e shërbimeve postare, të cilat ndikuan shumë shpejt në rritjen e shpejtësisë të lëvizjes së objekteve postare.

Me gjithë shpejtësinë e madhe të zhvillimit të komunikimeve elektronike, roli i postës vazhdon të jetë i pranishëm kudo në botë si një shërbim i domosdoshëm dhe shumë i përdorur në çdo vend

Data historike të Postës Shqiptare

5 Dhjetor 1912

Më 5 Dhjetor 1912, për rëndësinë specifike që kishte Posta Shqiptare, qeveria e parë kombëtare e Ismail Qemalit, një javë pas shpalljes së pavarësisë, ngriti një ministri të veçantë të Post Telegrafës, ministër i së cilës ishte eruditi Lef Nosi.

Lef Nosi ishte intelektual, atdhetar, politikan dhe studiues si edhe ruajtësi i Dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Lef Nosi ishte gjithashtu krijues i Filatelisë së Shtetit Shqiptar, nën drejtimin e së cilit, Qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash.

5 Maj 1913

Vihet në qarkullim pulla e parë postare shqiptare, e cila ishte një vulë me ngjyrë të zezë, me të cilën u shtypen 2232 zarfe, duke krijuar në këtë mënyrë simbolin e saj të pazëvendësueshëm edhe në ditën e sotme.

7 Korrik 1913

Kërkesa zyrtare për t’u anëtarësuar në Bashkimin Postar Universal dhe Bashkimin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, anëtarësim i cili u bë i mundur në vitin 1922.

13 Prill1921

Njoftimi i zyrës ndërkombëtare të Unionit të Përbotshëm Postar për Drejtorinë e Përgjithshme të PTT të Shqipërisë mbi pranimin e kërkesës së palës shqiptare lidhur me korrespondencën postare.

22 Korrik 1924

Krijohet shoqëria “Lidhja e Post-Telegrafistëve të Shqipërisë” e cila në kongresin saj të jashtëzakonshëm më 27 korrik – 4 gusht 1924 aprovoi statutin dhe rregulloret përkatëse, që synonin sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të PTT-së.

20 Maj 1947

Vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e rregullores për shërbimin postar dhe telefonik.

25 Korrik 1979

Dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor për aderimin në ndryshimet e miratuara nga Kongresi XVII i Bashkimit Postar Ndërkombëtar.

Tiranë 1992

Shërbimet e telekomunikacioneve ndahen nga ato postare në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare.

 

/rtsh.al/