RTSH 24 Live

Aktualitet

Sot nis zbatimi i Amnistisë Penale, 700 të dënuar lirohen menjëherë nga burgu!

24/04/2024

Sot nis zbatimi i Amnistisë Penale, 700 të dënuar lirohen menjëherë nga burgu!

Sot nis zbatimi i ligjit për “Amnistinë Penale” që u miratua në 4 prill me 110 vota në Parlament.

Nga ky ligj përfitojnë 3800 të dënuar ne total, ku 1 mijë e 100 të dënuar me burgim, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.

Po ashtu, nga amnistia përfitojnë edhe 2 mijë e 700 persona në shërbim prove.

Sipas ligjit të zbardhur në fletoren zyrtare, nga kjo amnisti do të përfitojnë personat që u ka marrë formë të prerë dënimi deri në datën 31 mars 2024.

Sipas zv.Ministrit të Dretjtësisë, Klajd Karameta në një intervistë dhënë për RTSH  ditë më parë, bëri me dije se përfitojnë të dënuarit burra që u kanë mbetur pa vuajtur më pak se 4 vjet dhe gratë e të miturit që u kanë mbetur 5 vite.

Përfitojnë gratë që janë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç kur kanë marrë dënimin.

Amnistia shtrin efektet në vetëm 5% të veprave penale që ka Kodi Penal, ndërsa 95% të veprave të tjera nuk do të jenë në efektet e amnistisë.

Ulja e dënimit dot të jetë në 1.5 vite për burrat dhe 2 vite për gratë si masë lehtësuese. Për vepra të lehta penale amnistia shtrihet vetëm për kundërvajtjen penale që është 2 vjet.

Nga ndjekja penale me këtë amnisti do të përjashtohen të gjitha kallëzimet për disa lloje veprash penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të zhvilluara deri në datën 31 mars 2024. Nga amnistia do të përfitojnë 11 gra, dhe 11 të mitur që lirohen menjëherë.

Përmes kësaj amnistie përfitojnë nga falja totale e dënimit burrat e dënuar me katër vjet ose më pak vite burg, për dënime të dhëna dhe që kanë marrë formë përfundimtare deri më 31 mars 2023, ndërsa gratë përfituese do jenë ato që kanë deri në pesë vite dënim.

Karameta ka deklaruar se për protestuesit që përfshihen te amnistia do të bëhet dhe një vlerësim për veprat penale që ata kanë kryer.

“Tubimi i  paligjshëm është një vepër penale, ndërkohë që ata kanë kryer vepra penale kundër jetës ose plagosja e efektivit të policisë ose shkatërrimi siç e përmendët edhe ju janë parë me restriktivitet sepse është një kualifikim, është një cilësim, është një vepër e kualifikuar e cila ka një energji kriminale shumë më të madhe se sa vepra e parë”.

27 të burgosur përfitojnë nga amnistia në burgun e Beratit, 33 të tjerë përfitojnë ulje dënimi me 1.5 vite

27 të burgosur në IEVP Berat lanë sot qelitë e Burgut dhe 33 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit nga amnistia. Nga amnistia kanë përfituar të burgosurit, të cilëve u ka mbetur më pak se 4 vite nga përfundimi i dënimit. 33 të burgosur të tjerë në IEVP Berat kanë përfituar nga amnistia ulje të dënimit me 1.5 vite burg. Në burgun e Beratit janë rreth 180 të dënuar dhe të paraburgosur për vepra të ndryshme penale, nga këta 70% janë të burgosur me dënim të formës së prerë.

20 persona lënë sot ambientet e paraburgimit në Vlorë, 5 përfitojnë ulje dënimi

25 persona përfitojnë nga amnistia penale në paraburgimin e Vlorës. Në ambientet e IEVP Vlorë ndodhen 35 persona që vuajnë dënimin pasi kanë marrë vendim të formës së prerë nga gjykatat.

Nga këta 20 persona lënë sot ambientet e burgut ndërsa 5 përfitojnë ulje dënimi.

Ndërkohë nga personat që janë në shërbim prove të mbikëqyrur në Vlorë përfitojnë 88 persona. Kjo e konfirmuar pak ditë më parë edhe nga drejtori i Shërbimit të provës në Vlorë.

Përfitojnë 150 të dënuar në burgun e Reçit, 150 në Fier dhe 14 të tjerë në Peqin

Nga IEVP Reç në Malësi të Madhe mësohet se nga amnistia do të përfitojnë rreth 150 të dënuar. Në burgun e Reçit ndodhen rreth 700 të burgosur.

Ndërkaq 150 persona në IEVP Fier përfitojnë nga amnistia. Në burgun e Fierit ndodhen rreth 800 të dënuar.

Nga burgu i Peqinit do ta përfitojnë amnistinë 14 të dënuar, të cilëve u ka mbetur 12-15 muaj dënim ndërsa nga burgu i Durrësit përfitojnë nga amnistia 10 të dënuar.

Amnistia penale u votua më 4 Prill në Kuvend me 116 vota pro. Numri i të dënuarve që përfitojnë është 1100, prej të cilëve 700 do të lirohen menjëherë dhe 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Po ashtu, nga amnistia përfitojnë edhe 2 700 persona në shërbim prove

Burgu i Drenovës 55 të dënuar përfitojnë nga “Amnistia Penale”

Rreth orës 13:00 të paradites së sotme , nga IEVP Drenovë në bazë të ligjit të amnistisë, do të zbatohet lirimi i të dënuarve që përfitojnë nga ky ligj. Mësohet se numri total i përfituesve është 55 të dënuar. Veprat penale që kanë prekur këta të dënuar janë "prodhim dhe shitje narkotikësh", "vjedhje", "dhunë në familje", "dhënie ndihmë i kalimit të paligjshëm të kufirit", "vrasje", "armëmbajtje pa leje", "trafikim i narkotikëve". Nga 140 të dënuar në total në burgu i Drenovës, 55 prej tyre përfituan amnistinë pasi u ka ngelur deri në 1 vit e 6 muaj dënim i mbetur. 70 të dënuar të tjerë përfitojnë ulje dënimi prej 1 viti e 6 muaj nga dënimi i mbetur për të kryer në burg. Dalja e tyre do të vijojë edhe ditën e nesërme.

/rtsh.al/