Efektet e amnistia penale dhe kur nis ajo të zbatohet ishte tema e trajtuar sot në emisionin “Ekspres” në RTSH1 ku i ftuar ishte Zv. ministri i Drejtësisë, Klajd Karameta.
Zëvendësministri bëri të ditura detajet e amnistisë penale, e cila do të nisi të aplikohet në fund të muajit prill.
“Fundi i muajt prill është dita që është caktuar që do të nis zbatimi i amnistisë penale” u shpreh ai.
Duke folur mbi qëllimin e amnistisë penale, zv. ministri theksoi se, “në kuadrin e një karakteri human dhe rehabilitues, parime këto nga e cila lind e drejta për të bërë këtë amnisti u pa e arsyeshme që ndërmerrnim këtë nismë ligjore që Ministria e Drejtësisë ka më shumë se një vit e gjysmë që po punon.
“Në vendin tonë amnistia e fundit ishte në 2020 dhe Ministri z. Ulsi Manja e ka paralajmëruar këtë nismë në 2023 dhe pas një pune prej më shumë se një vit e gjysmë është arritur që të dakordësohej dhe të votohej në parlament” tha ai.
I pyetur nga moderatori i emisionit Nolian Lole mbi kriterin që ndiqet për përfituesit nga kjo amnisti, Karameta theksoi se, “kriteret për amnisti parashikohen në Kodin Penal ku nga aty rrjedhin parimet e përgjithshme nga ku orientohet politika. Në këtë kontekst ka shumë rëndësi politika e veprës penale , pra që amnistohen vepra të lehta ku të dënuarve iu jepet mundësia e integrimit më shpejt. Ndërsa nga ana tjetër, veprat e rënda janë të përjashtuar si princip nga amnistia.
Për sa i përket shtyllës së dytë të amnistisë që ka të bëjë me uljen e dënimeve, zv.ministri shpjegoi se, “parashikohen në një mekanizëm të atillë që shikohen kategoritë në katalogun e veprave penale që janë të përjashtuara. Pra, që në nisje ne kemi të qartë që çfarë kategorish përfitojnë dhe ato që nuk përfitojnë. Një tjetër mekanizëm në këtë rast është parashikimi i kategorive më vulnerabile si të miturit dhe gratë”.
Një kategori tjetër për aplikimin e kësaj amnistie është gjithashtu dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, ku sipas z. Ministrit Karameta, ndiqet kriteri për personat me procedim penal, pra që nuk kanë dal për gjykim akoma për personat që janë në ndjekje penale dhe aty ndiqet një kriter që të bëhet e mundur të bëhet një ndërhyrje që vepra të ngjashme që kanë të bëjnë me kundërvajtjen penale që parashikojnë deri në 2 vite.
Duke folur për numrin e përfituesve nga kjo amnisti penale, zv.ministri u shpreh se, “ në projeksionin Drejtorisë së Burgjeve janë rreth 700 veta të cilët lirohen nga sistemi penitenciar.”
Sipas tij, ka dhe një grup tjetër që përfiton ulje dënimi. Ky është një grup prej 400 vetash në projeksion por mund të ketë dhe një kategori tjetër që ka të bëjë me shuarjen e precedimeve penale që janë në fazë kallëzimi por duke ruajtur masën 2 vjet të dënimit.
Gjithashtu zv. Ministri ka zbardhur dhe detaje të tjera në lidhje me atë që parashikon amnistia penale që ka të bëjë me kategorizimin e gjinive që përfitojnë.
Ai shpjegoi se, “ ka di dispropocion në këtë rast. Kryesisht janë burra ata që përfitojnë dhe gra janë shumë pak, rreth 74 gra përfitojnë. Kemi 15 gra që lirohen, 9 që përfitojnë ulje dënimi. Gjithashtu kemi 27 të mitur në sistem dhe nga këto 2 të mitur që përfitojnë ulje dënimi dhe 2 që lirohen.
Ne kemi një kapacitet rreth 5500 të burgosur, 700 është kontingjenti i atyre që përfitojnë.
Gjithashtu zv.ministri deklaroi se nuk mund të bëhet publik lista me emrat e përfitueseve sepse është kategorikisht e ndalur me ligj.
“Janë kriteret ligjore që nuk lejon publikimin e emrave që përfitojnë nga kjo amnisi. Ka list dënimesh dhe ka një listë emrash që përfitojnë” tha ai.
Karameta tha se për protestuesit që përfshihen te amnistia do të bëhet dhe një vlerësim për veprat penale që ata kanë kryer.
“Tubimi i paligjshëm është një vepër penale, ndërkohë që ata kanë kryer vepra penale kundër jetës ose plagosja e efektivit të policisë ose shkatërrimi siç e përmendët edhe ju janë parë me restriktivitet sepse është një kualifikim, është një cilësim, është një vepër e kualifikuar e cila ka një energji kriminale shumë më të madhe se sa vepra e parë”.
Zëvendësministri shprehu shqetësim për numrin e lartë të paraburgosurve në vendin tonë duke theksuar se duhet të jepen masa alternative dhe se “arresti me burg” të jetë masa e fundit.
/rtsh.al/