RTSH 24 Live

Aktualitet

Tragjedia në Shkodër, ministrja e Shëndetësisë: Të reagojmë fort, të mos përsëritet më

05/05/2024

Tragjedia në Shkodër, ministrja e Shëndetësisë: Të reagojmë fort, të mos përsëritet më

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka reaguar për ngjarjen tragjike në Shkodër ku një nënë u vetëmbyt së bashku me tre fëmijët e saj në lumin Buna e shtyrë nga dhuna e bashkëshortit të saj.

Koçiu shkruan se  dhuna ndaj grave është një fenomen që po cenon bërthamën e familjes.

Ministrja thekson se kjo ngjarje e rëndë na sjell në vëmendje edhe rëndësinë e shëndetit mendor.

Thellësisht e tronditur dhe e trishtuar nga ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Shkodër, ku sipas dyshimeve paraprake, dhuna e përsëritur fizike dhe psikologjike ka shtyrë një nënë në një akt makabër vetflijimi.

Dhuna, në të gjitha format e saj është një fenomen i papranueshëm. Është një akt burracakësh! Është një mënyrë që cenon bërthamën e familjes dhe ata që kanë më pak forcë të mbrohen, nënat dhe fëmijët!

Në të njëjtën kohë, kjo tragjedi rikthen në qendër të vëmendjes debatin rreth rëndësisë së shëndetit mendor. Depresioni, në të gjitha format në të cilat manifestohet dhe pavarësisht arsyeve që e shkaktojnë atë, është një barrë e rëndë për çdo individ të prekur dhe për vetë shoqërinë tonë”, thekson Koçiu.

Ajo shton se të gjitha institucionet në vend duhet të reagojnë për të rritur denoncimin ndaj dhunës ndaj grave.

Këto janë sfida që shoqëria jonë mund t’i fitojë vetëm përmes solidaritetit. Vetëm duke i qëndruar pranë, të gjithë së bashku, viktimave të dhunës apo të gjithë atyre që kalojnë një moment të vështirë në jetë!

Sot, është dita në të cilën të gjithë së bashku, institucionet, media, universiteti, shkolla, familja, shoqëria, e të gjithë me radhë duhet të ndalemi dhe të pyesim veten se çfarë mund të bëjmë më shumë për të rritur numrin e denoncimeve apo mbështetjen për të gjithë ata që kanë nevojë, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më.

Dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta të gjithë të dashurve të prekur nga kjo tragjedi.

Gjithashtu dua të lëshoj një apel drejtuar pikë së pari institucioneve përkatëse, për hetimin deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe së dyti, ndaj të gjithë qytetarëve, le të bëhemi bashkë, për të shfarosur dhunën e për të mbështetur këdo që ka nevojë përmes forcës së jashtëzakonshme të solidaritetit njerëzor”, përfundon në reagimin e saj, ministrja Koçiu.

/rtsh.al/