RTSH 24 Live

Aktualitet

Sonte në emisionin "Përballë" në RTSH1 HD: BE pezullon vaksinën, Shqipërisë i “ngrin buzëqeshja”?! 

16/03/2021

Sonte në emisionin "Përballë" në RTSH1 HD: BE pezullon vaksinën, Shqipërisë i “ngrin buzëqeshja”?! 

Emisioni #Përballë në RTSH1 HD

I.    BE pezullon vaksinën, Shqipërisë i “ngrin buzëqeshja”?! 

Lajmi më i mirë i tre ditëve të fundit nga fronti i pandemisë ishte mbërritja në Tiranë e 38 mijë vaksinave AstraZeneca. Ky lajm sot është dhimbje koke për autoritetet, për mjekët dhe për ata që presin në radhë për t’u vaksinuar.
Pyetja sot është: A duhet Shqipëria të ndjekë shembullin e  Gjermanisë, Italisë, Francës, Spanjës, Suedisë, Danimarkës, Holandës, Bullgarisë, Norvegjisë dhe vendeve të tjera për të pezulluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca për shkak të raportimit të disa rasteve ku pacientët kanë patur “mpiksje gjaku” pas marrjes së vaksinës?!
 Nuk ka asnjë fakt që të provojë lidhjen e drejtpërdrejt mes marrjes së vaksinës dhe mpiksjes së gjakut te pancientët. Në Britaninë e Madhe nga 11 milionë njerëz që kanë marrë këtë vaksinë nuk ka ansjë rast të raportuar. Në total janë 17 milionë njerëz që kanë marrë vaksinën #AstraZeneca dhe 37 raste me “mpiksje të gjakut”. Edhe nëse këto raste i llogarit të githa si pasojë e drejtpërdrejt e vaksinës raporti është 1 me 500 mijë! Për rastin e Shqipërisë i bie 4 raste me këtë efekt anësor në 2 milionë njerëz që do të vaksinohen!
Nesër mund të hapet drita jeshile dhe ashtu si Organizata Botërore e Shëndetësisë edhe Agjensia Europiane e Mjekësisë mund të deklarojë se #AstraZeneca është po aq e sigurtë sa vaksinat e tjera. Por dëmi është bërë! 
Nuk ka dhuratë më të ccmuar për kundërshtarët e vaksinave sesa diskutimi i këtyre ditëve për vaksinën britaniko-suedeze. 
Pyetjet sot, dy muaj pas nisjes së fushatës së vaksnimit dhe një muaj para nisjes së fushatës zgjedhore janë të shumta: A do të pezullohet vaksinimi i nisur me #AstraZeneca? A po respektohet kontrata me Pfizer- Biontec? A jemi në negociata për vaksina të tjera përfshi edhe vaksinën ruse apo kineze? Nëse i sigurojmë vaksinat, a i kemi kapacitetet për vaksinim masiv
Sonte në #Përballë me Ogerta Manastirliu ministre e Shëndetësisë dhe Përkrahjes Sociale.

II. Lista (jote) ka probleme!

Zyrtarisht fushata elektorale nis 30 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe mbaron një ditë para ditës së votimit. Praktisht fushata ka nisur. Listat e kandidatëve dhe koalicioneve janë dorëzuar dhe partitë përmes kandidatëve dhe kryetarëve të tyre po shpalosin jo vetëm programin dhe premtimet, por edhe akuzat për integritetin e listave!
Ligji i dekriminalizimit, i miratuar me konsensusin e pozitës dhe opozitës 5 vite më parë, ka bërë të mundur që listat këtë radhë të jenë më pak problematike, por jo krejt pa probleme. Mjafton shkëmbimi i akuzave të ndërsjellta për të thënë se në lista megjithëse mungojnë emra të njohur dhe të përfolur, sërish janë diku të njëjtët mbiemra dhe diku të njëjtët emra të njohur për publikun për problemet me ligjin dhe drejtësinë!
Komuniteti Ndërkombëtar, përmes përfaqësuesve të vet në Tiranë, por edhe në Bruksel e Uashington e ka bërë të qartë se pret zgjedhje me standarte të larta dhe kandidatë me integritet në zgjedhje.
Po cila është forca dhe magjia e kandidatëve “problematikë”, prej të cilëve partitë nuk shqiten dot? Cila është përgjegjësia e kryetarëve të partive, drejtuesve të listave në rrethe dhe institucioneve “filtër” që ngarkon ligji për pastërtinë listave partiake? 
Sonte në #Përballë do të jetë Premto Gogo, drejtor i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara dhe Arben Ristani, ish kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve! Ndërsa në një lidhje me skype do të kemi një nga emrat e rinj në listën e kandidatëve të PD-së, Ina Zhupa.