Eksperti i çështjeve të sigurisë, Fatjon Softa ka deklaruar në studion e RTSH24 se politika duhet të qëndrojë larg Policisë së Shtetit dhe përzgjedhjes së strukturave të saj.
Duke folur për propozimin e ministrit të Brendshëm të emrit të Ilir Prodës për postin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Softa ka theksuar se lëvizjet e shpeshta të drejtuesve ka sjellë paqëndrueshmëri.
“A kam besim te drejtuesi aktual? Po kam besim se është njeri me vizion! Rrugëtimi z. Proda sikurse edhe rrugëtimi i shumë oficerëve të tjerë të policisë janë rrugëtime të lëvizjeve të shpeshta në polici. Pse nuk kemi një njeri që të rrijë 5 vjet në një detyrë.
Ne themi që nuk rri drejtori, po nuk rri një strukturë 5 vjet. Nëse ti specializohesh për qarkullimin rrugor pse duhet të të dërgoj te sektori i krimit, ose nga krimi të të dërgoj te krimi kibernetik. Kjo tregon paqëndrueshmëri.
Kjo paqëndrueshmëri nuk është e personave por e atyre që bëjnë emërtesat. Prandaj kërkohet një lloj strategjie, le të ndryshojnë forcat politike, oficeri është oficer policie. I takon Policisë Shqiptare nuk i takon partisë politike. Kjo ndodh edhe me politikën.
Po të ketë një ndryshim politik, të gjithë drejtorët do të ikin. Është një skuadër tjetër që është bërë gati, një skuadër që ndonjëherë shkon edhe nëpër fushata”, u shpreh Softa.
Ai nënvizoi më tej se sistemi ka nevojë të përmirësohet. Sipas tij, rritja e efektivitetit dhe nivelit të Policisë së Shtetit do të ndodhë atë ditë kur të mos ketë influencë politike ndaj tij.
“Sistemi duhet të përmirësohet. Dhe ky sistem do të përmirësohet vetëm një moment kur do të jemi të larguar nga politika dhe atë ditë kur nuk do të ketë atë interes që kemi ne sot; kush do të zgjidhet drejtor!
Atë ditë kur nuk do të kemi interes se kush do të zgjidhet drejtor, atë ditë kemi hequr dorë nga politika, fakti që e kemi mendjen te drejtori, tregon që është influenca e politikës. Vetëm në Shqipëri është lajm dhe të gjithë presin kush do të jetë drejtori, a thua se po zgjidhet kryeministri i vendit”, tha më tej Softa.
/rtsh.al/