RTSH 24 Live

Ekonomi

Skema Kombëtare në Bujqësi, 10 mijë aplikime vetëm ditën e parë

27/03/2024

Skema Kombëtare në Bujqësi, 10 mijë aplikime vetëm ditën e parë

Në ditën e parë të hapjes së kemës kombëtare të mbështetjes në bujqësi, janë kryer 10 000 aplikime nga fermerët në të gjithë vendin, njoftoi Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj.

“Dua të theksoj se ndërkohë që ne flasim janë bërë gati 10 mijë aplikime. Përllogaritja jonë është në 5.5 miliardë lekë. Vitin e kaluar ne dhamë një shumë të konsiderueshme falë mbështetjes së qeverisë me akti normativ me gati 51 milionë dollarë dhe përfituan gati 65 mijë fermerë. Që ky vit shuma të jetë pak më e lartë, 55 milionë dollarë dhe 70 mijë fermerë është legjitime. Tavanet buxhetore janë në nivel më të ulët por rishikimi i tavaneve në aspekt të likuiditetit është e mundur nëpërmjet aktit normativ. Do të shohim trendin e aplikimeve. Do të doja të kishim sa më shumë fermerë të bashkuar dhe të merrnin maksimumin”, u shpreh Denaj në një intervistë për mediet.

Ministrja Denaj theksoi se, ata që përfitojnë më shumë janë fermerët e bashkuar.

Duke u ndalur tek nafta pa taksa, ajo tha se, këtë vit do të shkojë si një përfitim në lekë në llogarinë bankare të fermerit. Denaj theksoi se po punojmë me bankat që të lehtësojnë procedurat dhe kostot për fermerët.

Buxheti për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për këtë vit është 55 milionë USD.

/ rtsh.al /