RTSH 24 Live

Aktualitet

Skema e mashtrimit te Fondi Besa, çohen për gjykim 5 persona, Prokuroria: Mashtruan 15 qytetarë

27/07/2024

Skema e mashtrimit te Fondi Besa, çohen për gjykim 5 persona, Prokuroria: Mashtruan 15 qytetarë

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet në lidhje me skemën e mashtrimit te Fonddi Besa, ndërsa ka çuar për gjykim 5 persona. Janë çuar për gjykim organizatori i kësaj skeme, Ledio Vrapi, noterja Majlinda Demollari dhe 3  punonjësit e Fondit Besa Lindita Ndroqi dhe Lindita Peçi.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, këta persona, nëpërmjet mashtrimit, vodhën të paktën 15 shtetas duke marrë kredi në emër të tyre dhe përvetësuar paratë.

Duke i gënjyer dhe duke i mashtruar, ata kanë përvetësuar shumat e kredive të marra nga këta 15 persona.

Ishte Ledio Vrapi ai që i bindte qytetarët që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar shumat monetare të marra nëpërmjet kredive bankare.

Po kështu, nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredise, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre”, sqaron Prokuroria.

/rtsh.al/