RTSH 24 Live

Sociale

Situata epidemiologjike në Gjirokastër, çdo ditë pacientë në urgjencë

06/01/2025

Situata epidemiologjike në Gjirokastër, çdo ditë pacientë në urgjencë

Gripi vazhdon të jetë prezent në Gjirokastër që prej fillimit të dhjetorit, kur edhe temperaturat filluan të uleshin.

Qendrat shëndetësore presin deri në 10 raste në ditë, ndërsa një derë tjetër ku pacientët trokasin për ndihmë është edhe urgjenca.

"Me uljen e temperaturave gjatë ditëve të fundit kemi pasur edhe një shtim të virozave stinore, veçanërisht gripit. Simptomat dhe shenjat që pacientët shfaqin në shumicën e rasteve janë temperatura e lartë, 38 ose 39 gradë, një kollë e thatë me sekrecione, ngjirje të zërit, shtim të sekrecioneve nazale dhe dobësi e përgjithshme trupore. Në këto raste trajtimi ka qenë kryesisht simptomatik dhe nuk ka qenë i nevojshëm përdorimi i antibiotikëve," thotë mjekja Ana Llukani.

Po çfarë rekomandohet nga mjekët në rastet kur pacienti është prekur nga gripi?

"Gjithçka që duhet të dimë dhe të bëjmë është thjesht një regjim i mirë, ushqim i shëndetshëm, konsumimi i sa më shumë lëngjeve dhe patjetër, pushim," rekomandon mjekja.

Ajo çka është vënë re që klinika e sëmundjes ka qenë më e lehtë te personat që e kanë marrë vaksinën kundër gripit.

Në Gjirokastër gjatë tetorit dhe nëntorit u aplikuan 6.000 doza.

/rtsh.al/