Kryeministri shqiptar Edi Rama, mbërriti sot në Izrael për një vizitë zyrtare që do të përfshijë takime me zyrtarë izraelitë të mbrojtjes kibernetike. Lajmi u bë i ditur nga ministria e Jashtme izraelite.
Rama u takua fillimisht me kryeministrin Izraelit, Yair Lapid, zyra e të cilit tha se të dy diskutuan lidhjet dypalëshe dhe "tejkalimin e sfidave të përbashkëta me të cilat përballen të dy vendet, me theks në kërcënimin iranian", si dhe propozuan bashkëpunimin e mbrojtjes kibernetike.
“Izraeli do të ndihmojë sa më shumë që të jetë e mundur në përpjekjet kundër Iranit. Ne e shohim këtë si një interes kombëtar dhe një detyrim historik”, tha Lapid.
Ministria e Jashtme tha se Rama do të takohet me kreun e Drejtorisë Kombëtare Kibernetike të Izraelit, organi kryesor i sigurisë kibernetike në vend. Ai nuk dha detaje shtesë. Ministria tha se Rama do të takohet gjithashtu me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog dhe zyrtarë të tjerë.
Vizita tre-ditore e Ramës vjen një muaj pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, për një sulm kibernetik të korrikut që synonte faqet dhe shërbimet qeveritare shqiptare.
Pasi Shqipëria ndërpreu marrdhëniet, një sulm i dytë kibernetik, nga i njëjti burim Iranian, goditi një sistem informacioni që regjistron hyrjet dhe daljet në kufirin shqiptar, duke shkaktuar vonesa për udhëtarët.
Izraeli dhe Irani janë rivalë dhe kanë zhvilluar një luftë në hije për më shumë se një dekadë në të gjithë rajonin, si dhe në hapësirën kibernetike. Apnews
/rtsh.al/