Teksa prezantoi programin e PD-së për bujqësinë, kryedemokrati Sali Berisha premtoi pension për çdo fermer. Programin e PD-së, Berisha e konsideroi “transformues” për bujqësinë, teksa tha po ashtu se çdo i moshuar në fshat do të trajtohet me minimum jetik.
“Ne marrim përsipër një qëndrim transformues për bujqësinë tonë. Dhe kur them transformues, kam parasysh në radhë të parë fermerin. Fermerit do t’i vendoset pensioni, çdo i moshuar në fshat do trajtohet me minimum jetik, nuk do të ketë më pensionist apo shqiptar në moshë pensioni që do të marrë më pak se 200 euro. Buxheti për bujqësinë dhe blegtorinë do të trefishohet dhe do të arrijë në dy vitet e para mesataren e buxhetit të vendeve të rajonit. Tani jemi 8 herë nën Maqedoninë, imagjinoni ku jemi. Me Serbinë ndoshta dhe më shumë”, tha Berisha.
Kreu i PD tha se partia që ai drejton do të subvencionojë prodhimet bujqësore, teksa u shpreh kundër nismës së Ballkanit të Hapur.
“Do të subvencionohet çdo bimë, çdo kokë bagëti dhe çdo prodhim. Taksa ndëshkuese për prodhimet bujqësore në sektorin e përpunimit do të hiqen, do barazohen. Sot ka taksë vetëm në shitje në mënyrë absurde. Ballkani i Hapur do hidhet në kosh. Ballkani i hapur shkatërroi një nga faktorët kryesorë, konkurrencën e ndershme në Ballkan. Serbia, jo vetëm që ka një trashëgimi subvencioni shumë të fuqishme, kanë patur një sektor bujqësor të organizuar me investime shumë të mëdha, por Serbia si pjesë e tregut ruso, ish-sovjetik, është problem shumë për rajonin, ndaj dhe Shqipëria ndal çdolloj praktike të Ballkanit të Hapur që, de facto, ishte hegjemonia ekonomike, dhe jo vetëm ekonomike, e Serbisë në rajon”, deklaroi Berisha.
/rtsh.al/