Shuhet simboli i valles shqiptare, Liliana (Lili) Cingu. Artistja e famshme, e cila është ngulitur thellë në kujtesën kombëtare, është ndarë nga jeta në moshën 70- vjeçare. Për meritat dhe vlerat e saj si një nga yjet skenës shqiptare, ajo është vlerësuar edhe me çmimin e lartë “Nder i Kombit”.
Cingu ka një karrierë të gjatë si valltarja kryesore e Teatrit të Operas dhe Baletit, veçanërisht në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, përkrah emrave të mëdhenj të skenës si Besim Zekthi, Rexhep Çeliku etj., nën koreografinë e mjeshtrit Panajot Kanaçi.
Ajo ka kërcyer valle nga të gjitha krahinave të vendit, duke i mbajtur ato gjatë për shumë dekada dhe duke i gdhendur në fondin e artë të artit shqiptar.
"E trishtë ndarja nga jeta e "Mbretëreshës së valles shqiptare", Lili Cingu. Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj. Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur. Sallës së provave të Ansamblit do t'i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël. Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi" shkruan Teatri i Operas dhe Baletit në një postim në Facebook.
Profili
Liliana Cingu “Nderi i Kombit”, valltarja me portretin fisnik, e cila ndër vite nuk ka reshtur së mahnituri publikun shqiptar me elegancën e saj skenike. Ajo është “Mbretëresha e valles folklorike shqiptare” dhe shquhet si një ndër individualitetet më të spikatura që i ka dhënë hov ndër vite Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore edhe përtej kufijve. Karriera e saj numëron dhjetëra çmime, urdhra e medalje të ndryshme si, “Çmimi i Republikës", Urdhri "Naim Frashëri”, "Disku i Artë", "Artiste e Merituar", “Mjeshtër i Madh”, “Nderi i Kombit”, Medalje në Dizhon të Francës, Medalje në Itali, Turqi, etj., vlerësime këto të bëra nga personalitete të artit e kulturës shqiptare dhe botërore.
/rtsh.al/