Gjyqi për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, është shtyrë për në datën 30 janar 2025, në orën 10:00, pas kërkesës për shtyrje nga mbrojtja për shkak të shqetësimeve shëndetësore të tij. Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan, Gjici kërkoi ndryshimin e masës nga arrest me burg në arrest shtëpie për pjesën e mbetur të dënimit, duke argumentuar se gjendja e tij shëndetësore është rënduar.
Ekspertët mjeko-ligjorë paraqitën raportin e tyre, ndërsa prokurori kërkoi që të përpunohet përsëri një përgjigje lidhur me terapinë e përshtatshme për trajtimin e rrezikut shëndetësor të tij. Për të dhënë një përgjigje të saktë për këtë pyetje, eksperti kërkoi një afat prej dy javësh.
Avokati i Safet Gjicit, Markeljan Jance, theksoi se ish-kryebashkiaku vuan nga probleme të sistemit kardiovaskular dhe diabet i formës së rënduar dhe se gjendja e tij psikologjike në burg ka përkeqësuar shëndetin e tij.
/rtsh.al/