RTSH 24 Live

Sociale

Shtëpia që largon vetminë dhe ofron socializimin e të moshuarve në Sarandë

20 orë para

Shtëpia që largon vetminë dhe ofron socializimin e të moshuarve në Sarandë

Buzë detit të Sarandës një shtëpi është e madhe jo vetëm nga 50 banorët të saj, por edhe se është ngritur dhe funksionon që të largojë vetminë dhe të ofrojë kalimin e kohës si në një familje të madhe.

Kjo është Qendra Polivalente "Feti Rugji" në qytetin e Sarandës.

E kompletuar me mjedise ndenjjeje për gra e burra të moshës së tretë, të përzgjedhur mes atyre që jeta i ka lënë të vetmuar, me pamundësi ekonomike apo që kanë nevojë për ngrohtësinë që jep jeta në bashkësi.

"Është një qendër që e ka nisur aktivitetin e saj prej gushtit të vitit 2002. Shërbimet këtu janë konsoliduar dhe vijnë gjithmonë duke u përmirësuar," tregon Vanada Veipi, drejtoresha e Qendrës.

Mbase në kushte shtëpie do të harrohej edhe dita e lindjes, ndërsa në këtë qendër sociale çdo ditëlindje kthehet në festë për të gjithë banorët.

Kjo shtëpi të moshuarish nuk ka asgjë të ngjashme me një azil pleqsh, në kuptimin klasik.

Jo vetëm se këtu nuk paguhet asgjë e nuk flihet, por se çdo i moshuar gjen ushqimin e gatuar për merak, por edhe se këtu kohën prej mëngjesit deri në drekë e mbushin me aktivitete që socializojnë, me lojërat që parapëlqejnë e deri me udhëtime turistike brenda e jashtë vendit.

Na thanë se tre janë shtyllat mbi të cilat ngrihet kjo shtëpi sociale: kafja dhe dy vaktet më mirë se në shtëpi, largimi i vetmisë dhe dhënia e ndjesisë që në mungesë të familjarëve është një staf i tërë që u jep shërbim.

Është mjaft domethënëse ajo që na thanë gjatë vizitës në këtë qendër polivalente: këtu nuk vihet që të shtyhen vitet e jetës, por që viteve të mbetura t'u jepet jetë.

/rtsh.al/