Festat e fundvitit kanë rezultuar të mbara për bizneset e Korçës, që pritën në hotelet dhe bujtinat e tyre si dhe u shërbyen mijëra vizitorëve. Duke iu referuar vetëm subjekteve që janë nën juridiksionin e Bashkisë së Korçës, vetëm për 10 ditët e fundit të vitit janë shpenzuar minimalisht 2,5 milionë euro.
Festat e fundvitit kanë ndikuar mjaft mirë në të ardhurat e bizneseve të Korçës, pasi pothuajse të gjitha njësitë akomuduese kanë qenë të rezervuara me kapacitet të plotë. Sipas të dhënave nga subjektet që operojnë nën juridiksionin e Bashkisë së Korçës, përfshirë qytetin dhe fshatrat kryesore turistike të Boboshticës, Dardhës dhe Voskopojës, vetëm në 10 ditët e fundit të vitit të kaluar, janë shpenzuar minimalisht 2.5 milionë euro.
Eksperti i ekonomisë, Fatmir Ceci, tha për RTSH-në, se “me katër mijë shtretër që ka Korça në dispozicion të shfrytëzueshme dhe duke marr për një individë të paktën 50 euro llogariten që të paktën në qytet të hyjnë 2 milion Euro. Duke llogaritur dhe shpenzimet e tjera si restoranti apo shërbime të tjera që turistët marrin në Korçë shifra shkon 2.5 milion euro”
Rritja e numrit të vizitorëve në Korçë ka detyruar operatorët turistikë të rritin kapacitetet akomuduese.
“Korça ka një trend të shtimit të investimeve për akomodim dhe kjo sasi e madhe e investimeve ka çuar dhe në rritjen e cilësisë për turistët."
Shifrat zyrtare nga ana e bashkisë së Korçës tregojnë se ky qytet dhe fshatrat turistikë gjatë vitit 2024 janë vizituar nga gati gjysmë milionë vizitorë vendas dhe të huaj.
/rtsh.al/