RTSH 24 Live

Aktualitet

Serbia shpalli dy shqiptarë non grata, Ministria e Jashtme thërret ambasadorin serb

8 orë para

Serbia shpalli dy shqiptarë non grata, Ministria e Jashtme thërret ambasadorin serb

Ministria e Jashtme shqiptare ka reaguar në lidhje me ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë.

Në një postim në Facebook, Ministria e Jashtme bën me dije se ka thirrur ambasadorin e Republikës së Serbisë, Slobodan Vukçeviq, dhe i ka shprehur shqetësimin mbi këtë rast.

Gjatë takimit u transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar në Beograd.

Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë. MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd
”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë ndodheshin në Beograd prej ditës së martë për të diskutuar “strategjitë përmes të cilave organizatat joqeveritare mund të krijojnë të ardhura”. Serbia u ndaloi atyre hyrjen për një vit, si edhe 12 përfaqësuesve të tjerë të shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut, Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Çeke, Rumania dhe Moldavia, se ata “përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare”.

/rtsh.al/