Drejtuesja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genta Sula, ka deklaruar se verifikimi i kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e 11 majit, për faktin nëse i kanë shërbyer dikur ish-Sigurimit, duhet të kërkohet nga vetë politika apo grupet e interesit.
Znj. Sula tha në emisionin "Ekspres" me gazetarin Noljan Lole se ka një lloj "hipokrizie" për këtë çështje.
“Roli i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është ai rol që ka pasur gjithmonë për të verifikuar kandidatët e zgjedhur nga partitë e ndryshme politike për të parë çfarë roli kanë pasur ata në Sigurimin e Shtetit dhe përfshirjen e organeve të tjera të drejtësisë.
Institucioni ynë vihet në lëvizje me një kërkesë dhe ne presim kërkesat e partive që të rifillojmë aktivitetin tonë duke verifikuar.
Ne propozuam edhe këtë herë, që kur u bë Reforma Zgjedhore, që t'i jepej hapësirë vetëdeklarimit të kandidatëve duke ardhur vetë. Është diçka që parimisht të gjithë bien dakord. Edhe këtë herë me ligjin elektoral u anashkalua ky propozim pa bërë shumë komente."
"Megjithatë," vijoi ajo, “do fillojmë takimet me KQZ-në, me subjektet politike, të bëjmë popullarizimin e teknikaliteteve që deri në muajin maji të bëjmë maksimumin”.
Znj. Sula sqaroi se “subjektet politike duhet të sjellin jo vetëm emrat e listës të saj, por edhe vetë personat kandidatë për të deklaruar gjeneralitetet dhe vendet e punës.
“Së pari gjeneralitetet sepse me të njëjtin emër mund të ketë më shumë se një person, dhe ne bëjmë një vendim të gabuar. E dyta vendet e punës sepse ka qenë një shërbim e centralizuar sekret ku çdo rreth ka pasur evidencat e veta dhe në këtë mënyrën ne kemi indikacion më shumë. Janë dy palë kartela, një palë qendrore dhe një tjetër lokale. Ne i verifikojmë të dyja por duke ditur kur është personi.
Ata ta deklarojnë dhe më pas jemi ne që marrim kohën tonë. Po ta mendosh që ka mbi 40 subjekte politike, llogaritë këtu nga 140 kandidatë numri është i lartë dhe nuk përputhet me kohën që kemi në dispozicion. Por pavarësisht kësaj ka dhe mënyrën të tjera që mund të verifikojmë sikurse është kërkesa e medias.”
Kryetarja e AIDSSH-së tha se njerëzit i shqetëson ende historia e tranzicionit. Ajo shtoi se institucioni ka nisur një proces së brendshmi dhe po verifikon se sa ka qenë përfshirja e tyre në Kuvendin e parë.
“Ne kemi bërë një raport, pavarësisht se ai është i klasifikuar por ne kemi gjetur goxha gjetje interesante të përfshirjes serioze të personave në elitën politike dhe të inteligjencës sekrete të shërbimit të mëparshëm. Kjo tregoi që kanë qenë prezentë, janë falur, janë toleruar, gjë që themi që në Gjermani kjo nuk u tolerua. Atje nuk ndodhi që ata të ishin pjesë e reformave të ndryshimit të sistemit dhe të pengonin proceset demokratike.”
Gjithashtu znj. Sula foli dhe për ish-Vilën 31 e Enver Hoxhës, e cila është vendosur të kthehet në një qendër arti.
“Është një energji shumë e fuqishme arti që ta anashkalosh. Është një qendër përtej Shqipërisë për përmasat që ajo mbart. Arti e ka këtë fuqi dhe mendoj se ndikon për ta bërë më sublime gjithë atë ambient dhe njerëzit që do e vizitojnë. Për ne si autoritet 'Vila e Enverit' ka një simbolikë të madhe, sepse ne shpeshherë gjejmë letra apo dokumente që Enveri me dorën e vetë shkruante 'të varet', 'të pushkatohet', 'të torturohet', 'të internohet familja'”.
/rtsh.al/